
TIRANË-Ditën e sotme, një konferencë për gazetarët në kuadër të zgjedhjeve elektorale të 11 majit, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur në lidhje me votimin e diasporës.
Celibashi ka sjellë në vëmendje edhe rastin ku një votues ka bërë të ditur se ka shkuar zarfi i votimit në diasporë pa fletëvotimi. Sipas Celibashit, një rast i tillë mund të jetë spekulim nga ana e zgjedhësit, por u shpreh se është në komunikim me DHL.
"Ka pasur një rast ku zgjedhësi ka bërë të ditur se i ka shkuar zarfi pa fletën e votimit. Në fakt, lidhur me këtë rast ne nuk kemi asnjë fakt nëse është gabim i KQZ-së apo spekulim i zgjedhësit, por nëse do të jetë spekulim, sërish nuk mund të keqpërdoret edhe nëse i dërgojmë një fletë të dytë, sepse elementët e sigurisë nuk e lejojnë që të regjistrohet si një votim i bërë dy herë. Jemi në dijeni, kemi komunikuar me DHL dhe kemi kërkuar që t’ia bëjnë me dije degëve që ka problematika, që kanë detyrim të shkojnë të tërheqin te banesa e votuesit, në shumicën dërrmuese e kanë bërë, por kas dhe raste kur nuk e kanë bërë. Qoftë dhe për arsye procesi i dorëzimit është bërë në bazë protokollit. Ne dimë që është një numër i limituar, por nuk mund të themi që është një numër i lartë, nuk shkon më shumë se 100 numri i rasteve të problematikave, të të gjitha llojeve.”-tha Celibashi.
Kreut i KQZ tha se 62% e zgjedhësve të regjistruar e kanë marrë zarfin dhe kanë votuar 12.5% e tyre. Sipas tij, janë konstatuar raste të shpërndarjes me vonesë të zarfave në Greqi, ku Celibashi ka bërë të ditur se KQZ ka kontaktuar kompaninë private të shpërndarjes, për të pasur në vëmendje situatën.
"Zgjedhësit që e kanë marrë në dorë zarfin janë 154.770, pra 62% e zgjedhësve e kanë marrë dokumentacionin zgjedhor. Kanë mbërritur deri tani në KQZ 19.025 zarfa votimi, deri në fund të ditës do të jenë 22 mijë, që përbëjnë 12.5% të votuesve. Problematika me shpërndarjen e zarfave të votimit është më e madhe në Greqi, sipas raportimeve, ku kemi kontaktuar kompaninë për ta pasur në vëmendje situatën. Jemi në komunikim të vazhdueshëm. Kemi pasur një komunikim për një çështje konkrete. Ndërkohë, në një komunikim të sotëm, SPAK mund ta bëjë vetë me dije që janë një numër procedimesh të cilat janë duke i ndjekur. Bazuar edhe në denoncimet e subjekteve zgjedhore dhe në raste të bërë të ditura në media,'-u shpreh Celibashi.
Nga ana tjetër, Celibashi është ndalur edhe tek rastet e atyre votuesve që kanë publikuar votën e tyre, ku ai thekson se publikimi i votës është një vepër penale. Komisioneri u ka bërë thirrje partive politike që të mos inkurajojnë këto veprime te votuesit e tyre./ZËRI