TIRANË- Në një takim të mbajtur me deputetët e qarkut Tiranë dhe drejtues të pushtetit vendor, Kryeministri Edi Rama ndali vëmendjen tek një nga aksionet më të debatueshme të verës, ndërhyrja brutale në peizazhin e mbrojtur të Thethit.
Ai e cilësoi situatën si një “pushtim kriminal të zemrës së Thethit”, duke u shprehur se ndryshe nga sa po tentohet të perceptohet në opinionin publik, ndërtimet nuk janë bërë nga banorë të zonës që kërkojnë të mbijetojnë, por nga persona të jashtëm, të panjohur, që nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin vendas. “Janë ndërtuar jo shtëpi për strehim, por struktura për fitim”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe valës së komenteve që kritikojnë shtetin për ndërhyrje të vonuar, duke theksuar se përgjegjësia institucionale nuk mohohet, por nuk mund të përdoret për të amnistuar ata që kanë shkelur ligjin në mënyrë të hapur.
“Po flitet për të ‘shkretë’ që kanë ndërtuar me djersën e ballit, por në fakt kemi të bëjmë me njerëz që s’janë as banorë, që nuk kanë shfaqur asnjë pretendim, që janë futur tinëz dhe kanë ndërtuar pa asnjë dokument,” tha Rama.
Ai theksoi se policia është në hetim të plotë për të zbuluar se kush fshihet pas këtyre veprimeve dhe cilët janë aktorët e vërtetë të këtij “pushtimi”. Në këtë kuadër, u përmend edhe rasti i prokurores Anita Gjeli, e cila sipas Ramës ka neglizhuar çështjen, duke mos ndjekur kallëzimet e paraqitura për më shumë se 40 subjekte ndërtuese. Vendimi për të, sipas Ramës, tashmë i përket Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Ka dhjetëra kallëzime, dhe prokuroria s’ka lëvizur. Kjo është arsyeja pse është përfshirë dhe KLP,” shtoi ai, duke lënë të kuptohet se mosveprimi institucional ka qenë pjesë e problemit./ZËRI/