
TIRANË-Të gjithë zgjedhësit brenda territorit shqiptar që kanë dokumente identifikimi të skaduara do mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan dy akte shumë të rëndësishme për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Sipas këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike që përfundojnë në datën 11 maj 2025 – shtyhet deri në datën 31 maj 2025. Nga një analizë e të dhënave, rezulton se janë një numër i konsiderueshëm shtetasish me të drejtë vote, të cilëve u ka kaluar apo u skadon afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportave biometrike deri në 11 Maj.
Në janar 2025, KQZ iu drejtua qeverisë nëpërmjet një kërkese lidhur me problemin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në Shkurt 2025 u miratuan Aktet Normative, që kishin të bënin me shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve për shtetasit shqiptarë në diasporë.
Ministria e Brendshme në bashkëpunim me KQZ, institucionet e varësisë, si Shërbimi i Gjendjes Civile, apo agjencitë e tjera, kanë ndërmarrë të gjitha masat në përmbushje të detyrimeve ligjore, për të siguruar që procesi zgjedhor i 11 Majit të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa për qytetarët tanë jashtë dhe brenda kufijve. Sipas ministrisë së Brendshme janë marrë ndërkohë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor nga pikëpamja e sigurisë. Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar për të përballuar me sukses procesin para, gjatë dhe pas mbylljes së votimit, duke zbatuar me korrektësi ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor./ZËRI