
TIRANË- Sot, në selinë e Partisë Demokratike janë mbledhur drejtuesit politikë të qarqeve dhe krerët e degëve të PD-së. Në takimin e sotëm, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka dhënë porositë demokratëve që morën pjesë në mbledhjen e sotme. Kryesorja për demokratin është programi! Sipas numrit një të PD-së, të gjithë demokratët duhet që të fokusohen në programin e përpiluar nga ekspertët, e më pas tek kundërshtarët politikë. Raporti mes programit dhe kundërshtarëve, për Berishën duhet të jetë 80/20%.
"Të gjithë ju kryetarë të PD të degëve dhe kryetarë të qarqeve, detyrën e parë keni pra organizimin. Organizimin sa më të sigurt, sa më të plotë të të gjitha infrastrukturës të takimeve dhe infrastrukturës të sigurimit të procesit të votimit. Trajnimet e të gjithë përfaqësuesve tanë në të gjitha nivelet e komisioneve të votimit janë të domosdoshme. Janë një rëndësie parësore, duhet të fillojnë menjëherë. Duhet të zgjidhen personat në kuptimin që mund të përmbushin më mirë këtë detyrë, por ata duan trajnim. Duhet t’i trajnojmë, t’i kualifikojmë se ato ditë janë të një rëndësie përcaktuese. Nuk e kemi sekret ne, e kemi të hapur, ne këtë fushatë e kemi të dominuar nga çfarë ofrojmë ne për qytetarin. Prandaj siç keni marrë porosi gjer sot, unë kërkoj nga ju që ky parim të jetë dominues. Para se të flasim për kundërshtarin, le të flasim për programin në radhë të parë. Kjo është shumë e rëndësishme që ta dini, se kjo është zgjedhja jonë. Mund të zgjidhej edhe rruga tjetër, ai ka zgjedhur rrugën e sharjes, ne kemi zgjedhur qytetarin, ne zgjedhim programin tonë. Me këtë dua të them se në çdo takim, në çdo prononcim, në çdo postim, ne kemi epiqendër programin. Në çdo bisedë, ne kemi epiqendër programin. Natyrisht nuk mund të shkosh edhe në qiell e në tokë po të fluturosh, vjedhjeve të Edi Ramës nuk u shpëton dot. Por koha për kundërshtarin do jetë e kufizuar. Koha për programin do të jetë 80 përqind e kohës tuaj. Në qoftë se ne e përsërisim programin nga mëngjesi gjer në darkë, nëpërmjet takimeve intensive, ju garantoj se ne do e përmbushim me sukses të madh misionin tonë. Edhe njëherë, është një program që nuk është paraqitur kurrë në historinë e vendit. Por kjo kërkon takime intensive. Secili nga ju punën duhet ta masë sa njerëz do të takojë ai dhe stafi i tij. I gjithë stafi, i gjithë drejtimi i partisë është në takim për programin. Me 11 është data zyrtare ligjore që mund të hapim fushatën elektorale. Dhe ne do hapim me datë 11 në Tiranë në ora 7 të darkës. Programin do e paraqesim në një mjedis të mbyllur të nesërmen, por kjo do jetë edhe programi këtu, edhe hapja e fushatës. Ndaj dhe secili nga ju duhet të bëjë më të mirën që të bëhet edhe hapja më e bukur dhe më e mirë që kemi bërë ndonjëherë në Shqipëri. Do vijnë edhe përfaqësues nga diaspora, do jetë një hapje madhështore,"-tha Berisha.
Por nuk është mjaftuar me kaq! Në një takim të dytë me kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës, Berisha ka kërkuar sa më shumë takime. Madje i ka vendosur edhe orar.
"Takimin sigurisht që ju 8 deri në 12 orë në ditë duhet të jeni në takime. Por këto nuk mjaftojnë. Duhet përfaqësuesit tuaj, jo një, por mundësisht tetë, dhjetë të takojnë njëlloj si ju në mënyrë të pavarur nga ju. Të shkojnë derë në derë, të dorëzojnë fletëpalosjet. Po t’u thonë edhe dy fjalë. Dikush në tavolinë të kafenesë mund të thotë, të lutem shumë, nuk kam prirje për të të dëgjuar. Nuk ka gjë, shkon tek tjetri. Por krijimi nga ju i ekipeve me preferencë një i ri ose dy të rinj, ose një i ri dhe një i rritur, është emergjencë, është e domosdoshme. Sado që të bëni vetë, Tirana është një oqean, nuk dominohet. Ndaj duhet të bëni çdo gjë që të krijoni këto ekipe."
Këshilla e fundit kishte lidhje me rrjetet sociale. Sipas kryedemokratit, duke marrë shembull edhe fitoren e presidentit Donald Trump, përdorimi i mirë i mediave sociale është një pikë kyçe për të fituar vota. Kërkoi edhe përdorimin e TikTok, që tashmë mund të aksesohet vetëm duke përdorur "VPN".
"Ju të gjithë keni mediat sociale dhe ju do bëni gjithçka t’i përdorni ato në shkallën më maksimale. Dhe kur i përdorni vetë, u kërkoni të gjithë bashkëpunëtorëve tuaj të bëjnë share, t’i postojnë. Me një fjalë, le t’i ndezim ne mediat sociale si asnjëherë tjetër. Në vitin 2016, Donald Trump fitoi nga mediat sociale. Është shumë e njohur kjo. Ai fitoi se nuk i kishte mediat me vete, megjithëse vetë ka qenë në shoubiz, ka pasur program, por prapë mediat i kontrollonte tjetër kush. Përdori shumë mediat sociale. Ne të kombinojmë këto faktorë, mediat sociale dhe takimin, të dyja në krahasim me krahun tjetër që është një krah mëkatar, i përçarë, që duhet t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Shkarkoni VPN-të për TikTokun, mos e injoroni. Pse u them unë mos e injoroni? Se TikToku e tmerroi atë. E tmerroi saqë e ka dërguar deri në atë shkallë sa ndërhyn për persona të veçantë dhe ua fshin llogarinë. Por këto janë akte dëshpëruese të tij. Prandaj mundësisht krahas FB dhe IG, kthehuni tek VPN dhe shpresoj që të funksionojë TikToku në telefonat tuaj,"-shtoi Berisha.
Ndërkohë që kur mbeten vetëm 10 ditë nga nisja zyrtare e fushatës zgjedhore për parlamentaret e 11 majit, duket se në Partinë Demokratike ka mbërritur plani i përpiluar nga Chris LaCivita. Një plan është që fushata elektorale, do të hapet më 11 prill, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Të nesërmen, do të ketë një takim të dytë në ambiente te mbyllura që do i dedikohet prezantimit të programit të plotë, nga i cili janë zbuluar vetëm disa pjesë.
Deri më tani, vetëm një pjesë e stafit të Chris LaCivita-s ka mbërritur në Tiranë dhe ka nisur nga puna, ndërsa "sherifi i ri" siç e ka cilësuar Berisha ende nuk ka mbërritur në vendin tonë. Pritet që të mbërrijë më 11 prill. Por "të përzgjedhurit" e tij për fushatën e demokratëve kanë nisur nga puna dhe do të vendosin për pamjen vizive të fushatës dhe brandimit të koalicionit, bashkë edhe me sloganin, i cili është i njëjtë me emrin e koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore”./ZËRI