
TIRANË- Partia Demokratike ka paraqitur një ankesë zyrtare në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), duke kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, konkretisht për Qarkun Tiranë, ku PD humbi 4 mandate krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Sipas PD-së, humbja e thellë në këtë qark nuk është thjesht pasojë e rezultateve zgjedhore, por e një procesi të manipuluar përmes përdorimit të administratës publike dhe strukturave shtetërore në shërbim të Partisë Socialiste, e cila ndodhet në pushtet prej 12 vitesh.
"Këto institucione, sipas Kushtetutës dhe ligjit, duhet të ruajnë neutralitetin politik, përfshirë shpesh herë administratën e bashkive, agjencitë shtetërore, entet publike dhe ndërmarrjet janë vënë në mënyrë të hapur në shërbim të partisë në pushtet. Praktikisht, thuajse të gjitha bashkitë e Qarkut drejtohen nga PS, dhe këto të fundit, së bashku me kryetarët e tyre dhe administratat përkatëse, janë angazhuar gjatë gjithë periudhës parazgjedhore dhe asaj zgjedhore në mbështetje të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Tiranë. Veprimtaria e strukturave publike në fakt, nisi herët këtë vit, që në muajin janar, nën thirrjen për regjistrimin e emigrantëve, në “fushatën për regjistrimin e Diasporës” që filloi më 11 janar 2025 me hapjen e PER nga QKZ. Jo se nuk kishte aktivitet edhe përpara kësaj date, por me 11 janarin kulmoi edhe puna në terren dhe jashtë vendit të tyre. Kjo përfshiu organizimin e takimeve intensive jo vetëm brenda vendit, por edhe në Itali, Greqi, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Kanada, por edhe në vende të tjera ku jetojnë emigrantë shqiptarë”,- pretendon PD.
Ndonëse raporti i monitorimit 30 ditor nga AMA, i miratuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tregoi se Sali Berisha dominoi hapësirën televizive gjatë fushatës, demokratët pretedojnë se aksesi i opozitës në media ka qenë i kufizuar. Për më tepër, shkak të qenësishëm të rrënimit elektoral, Partia Demokratike quan edhe mbylljen e TikTok para zgjedhjeve.
“Edhe në media, aksesi i opozitës është mjaft i kufizuar, shtuar kjo edhe censura, autocensura, mbyllja e rrjeteve sociale si ai TikTok vetëm 60 ditë para zgjedhjeve. Madje, raporti i OSBE-ODIHR është tejet kritik ndaj kontrollit, censurës së medias apo autocensurës së saj. Kjo krijon një disproporcion të skajshëm në kapacitet, dukshmëri dhe aftësi mobilizimi të Opozitës”,- shkruhet ndër të tjera në shkresën e depozituar nga PD në KAS.
Sipas demokratëve, vendimi i marrë më 9 maj 2025 për faljen e borxheve përmes një VKM-je, është "prova më e qartë e "blerjes së votës".
“Së dyti, falja e borxheve, amnistia e një game të gjerë detyrimesh me VKM-në e datës 9 maj 2025, vetëm 2 ditë nga zgjedhjet, e kryer nga qeveria shqiptare, një akt ky totalisht në kundërshtim me Aktin Rregullator të vitit 2020 të KQZ i cili ndalon kategorikisht 4 muaj para zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, propozimin apo marrjen e vendimeve për amnisti apo falje detyrimesh financiare ndaj shtresave të popullsisë, si dhe më keq akoma, mosmarrja e masave urgjente për pezullimin / bllokimin e kësaj nisme nga KQZ (edhe pse u vu në lëvizje me ankimim urgjent nga PD-ASHM brenda datës 09.05.2025), dëshmon për një kapje totale të shtetit, një nivel sigurie absolute që shkelja e ligjit me të dy këmbët nga vetë qeveria por edhe nga KQZ, nuk do t’i kushtojë asgjë në raport me ligjin, por vetëm do t’i sjellë Partisë-Shtet benefite dhe avantazhe politike dhe elektorale të jashtëzakonshme, të paparashikueshme. Pa cekur këtu faktin se këto nisma ishin një nga premtimet kryesore të Opozitës në fushatë dhe rrjedhimisht kopjimi i tyre dëmtonte drejtpërdrejt edhe PD-ASHM.”
Partia Demokratike e ka cilësuar si pjesë të farsës elektorale edhe përplasjen mes deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe eksponentëve të opozitës. Opozita pretendoi se kishte zbuluar një zyrë elektorale të padeklaruar të Partisë Socialiste pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, nga ku, sipas tyre, organizohej blerja e votës dhe ushtrimi i presionit ndaj votuesve. Megjithatë, sipas Policisë së Shtetit, e vërteta rezulton të jetë e kundërta. Pas kontrolleve të ushtruara në ambientet e zyrës, të kryera me kërkesë të bërë nga vetë Partisa Demokratike, nuk u gjet asnjë dokument, listë apo provë që të mbështesë akuzat e ngritura nga opozita.
“Rasti i zbulimit të zyrës ilegale të PS tek “Petro Nini Luarasi”: Më 11 maj 2025, në një deklaratë për mediat, Belind Këlliçi denoncoi ekzistencën e një zyre elektorale të padeklaruar të Partisë Socialiste pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, të cilën ai e cilësoi si “rast të paprecedentë”. Sipas tij, deputeti Erion Braçe pretendonte se ishte zyra e tij e punës, ndërkohë që disa të rinj, përfshirë një drejtoreshë të një institucioni shtetëror, u larguan me shpejtësi nga ambienti sapo u pikasën nga përfaqësues të PD-së dhe gazetarë. Brenda zyrës, Këlliçi pretendon se u konstatua prania e personave që punonin me laptopë, me harta dhe lista, duke përfshirë edhe një dosje për blerje votash dhe shantazh ndaj votuesve”,- pretendon PD.
Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, ku sipas rezultateve zyrtare siguroi 50 mandate. Demokratët e kanë cilësuar procesin si një farsë elektorale, të shoqëruar me manipulime, presion mbi votuesit dhe përdorim të strukturave shtetërore për qëllime politike. Duke mos e njohur rezultatin, Partia Demokratike ka paraqitur ankesa zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pesë qarqe, ku janë evidentuar parregullsi të rënda që, sipas saj, kanë cenuar ndjeshëm integritetin e zgjedhjeve. Deri më tani, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ-së për certifikimin e rezultatin edhe në qarqet Durrës, Vlorë, Kukës, Korçë dhe Berat dhe Lezhë./ZËRI