Politikë

91% turistë më shumë në Mars nga viti i kaluar, Rama: T’iu përgjigjemi me standarde më të larta

Sipas shifrave të qeverisë, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë tre muajve të parë të vitit 2024

E.K
91% turistë më shumë në Mars nga viti i kaluar, Rama:
Turiste ne Tirane

TIRANË- Një numër rekord turistësh e kanë vizituar Shqipërinë në 3 muajt e parë të këtij viti, referuar shifrave të publikuara nga kryeministri Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se 734 mijë vizitorë erdhën në Shqipëri gjatë muajit mars, ose 91% më shumë se marsi i vitit të shkuar.

Rama shprehet se interesi i lartë i turisteve, duhet ta bëjë Shqipërinë gjithnjë e më të gatshme që të rrisë standardet e shërbimeve, duke bashkuar forcat mes privatit dhe shtetit.

“Mbi 1,7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, duke vendosur një rekord të ri për industrinë tonë të re të mikpritjes. 734 mijë vizitorë e shijuan Shqipërinë gjatë muajit mars, ose 91% më shumë se marsi i vitit të shkuar, duke shenjuar në shifra një progres të madh, të cilit duhet t'i përgjigjemi me standarde gjithnjë e më të larta mikpritjeje, duke bashkuar forcat për shërbime publike e private të nivelit më të mirë”, shkruan Rama.

Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e  Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet  udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania". Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një event të Organizatës Botërore të Turizmit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB