Politikë

“95% e shërbimeve sot në Shqipëri online”, Rama në selinë e OKB: Jemi sulmuar nga Irani

Kryeministri theksoi se do të merret për bazë Inteligjenca Artificiale për të bërë të “çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

F.I
“95% e shërbimeve sot në Shqipëri online”, Rama
Edi Rama

SHBA- Në Asamblenë e Përgjithshme në OKB sot u diskutua “për të ardhmen digjitale”. Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u ndal te të mirat që ka sjellë teknologjia për vendet në zhvillim si Shqiqëria, ku tashmë 95% e shërbimeve ofrohen online. Kryeministri theksoi se do të merret për bazë Inteligjenca Artificiale për të bërë të “çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Gjithashtu Rama përmendi edhe sulmet kibernetike, me të cilat vendi ynë është përballur, ku deklaroi se duhet të shmangim efektet e dëmshme, si sulmi nga Irani.

Edi Rama: Teknologjia digjitale me premtimin e saj për progres eksponencial është bekim për vendet në zhvillim. Ne në Shqipëri e kemi parë në jetën reale dhe me përpjekjet përkatëse u bëmë një vend ku 95% e shërbimeve sot ofrohen online e ku sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë histori e të shkuarës. Nga ana tjetër, ne po shfrytëzojmë përparësitë e modelit të Inteligjencës Artificiale, për të çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjithashtu po shohim në këtë drejtim edhe për ndërtimin e një modeli të ri plotësisht transparent dhe 95% të bazuar tek IA për prokurimet publike. Nga ana tjetër sigurisht teknologjia digjitale nuk është vetëm një bekim, po edhe një mallkim, si psh sulmet kibernetike. Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët. Por tek e fundit nuk ka aspak dyshim se nëse do të jemi në gjendje të krijojmë një sistem, ku bota dhe komuniteti i kombeve të përfitojnë më të mirën nga premtimet e teknologjisë digjitale dhe në të njëjtën kohë, të frenojnë të gjitha efektet e dëmshme që mund të vijnë nga përdorimi dashakeq i saj, kjo botë do të ishte një vend shumë më i mirë.

Në Nju Jork, ka nisur punimet sesioni i 79-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku pjesëmarrës janë edhe udhëheqës nga mbarë bota, përfshirë liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Kombet e Bashkuara miratuan më 22 shtator një “Pakt për të Ardhmen” që synon adresimin e sfidave të shumta të shekullit, nga konfliktet te ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut, pavarësisht kundërshtimeve të minutës së fundit nga një grup vendesh të udhëhequra nga Rusia. Pakti i së ardhmes u miratua pavarësisht kundërshtimeve nga disa vende, duke përfshirë Rusinë dhe Venezuelën, të cilat kritikuan mungesën e negociatave për paktin dhe thanë se përmbajtja e tij favorizonte vendet perëndimore./ZËRI

Poll

MOS HUMB