
TIRANË- Në seancën e sotme në Kuvend, ka ardhur dhe reagimi i parë nga qeveria, për akuzat e Ilir Metës, në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumani. Ishte ministrja për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali, ajo që akuzoi opozitën, se hesht përballë deklaratave të dy prej ‘baballarëve të saj’.
“A keni një opinion për dy baballërët në majë të thanës ku jeni ngjitur të tërë? Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe njëri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon kreun e SPAK në ekrane, dhe ku t’i dalë para. Bëni prokurorin e akuzatorit këtu.
Gjuhën e dalë nga binarët e mendjes së dy baballarëve tuaj as nuk e përmendni, të dy presidentë të kësaj republike, kryeministra, bela të këtij populli, për të cilët ju nuk shpreheni e doni të bëni këtu sherr e rrëmujë e të na thoni çfarë opinioni keni për ulërimat e tyre, sepse nuk janë dy kokë dele por baballarë të opozitës tuaj. Na drejtoni gishtat për drejtësisë ju që jeni kokë e këmbë me vetëm dy gishtat lart
Hani thana në pemët e tyre dhe t’i vilni votat në kopështin e popullit. Duke i mbajtur të dy ata mbi supe sic mbanin shërbëtorët mbretërit. Këtu vini e kërkoni sherr duke u përpjekur të mbani peng Kuvendin për hallin tuaj. Dilni thoni qartë SPAK për ju është organ i drejtësisë apo jo?”, u shpreh Spiropali në Kuvend.
Ndërkohë që Gazment Bardhi, u shpreh se frikë nga SPAK duhet të kenë ministrat e qeverisë, që sipas tij, janë thirrur shpesh në këto muajt e fundit në prokurorinë e posaccme.
“Ju foli ndërgjegja juaj dhe e quajtët trafikant Olsi Ramën. Nëse do të kishin vijuar hetimet dhe nuk do të ishin mbyllur, kjo çështje do të kishte një përfundim tjetër. Ajo është çështje e hapur dhe do të duhet të hetohet nga SPAK. Babai jot Elisa, i të gjitha qëndrimeve, ka atë qëndrim, që kur goditet opozita nga SPKA thotë; fitore, por kur i sekuestrohen projektet e veta, thotë; kush jeni ju!
Sa për dëlir madhështie, e kanë nga babai yt. E dëgjove si tha; më marrin çdo ditë liderët botërore, ndaj nuk vjen dhe këtu, se i marrin mendim për hallet e mëdha që ka bota. Por ai ka vetëm një hall, ato që i ka bërë këto 11 vite Shqipërisë. Për interesa korruptive të një ish-ministri, bashkëpunëtore e ngushtë e Ramës, grisët një vendim dhe e hodhët në kosh, e futët në kosh një institucion të ri të drejtësisë”, tha ai.
/ZËRI