
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, ka kërkuar interpelancë me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, për shkak se nga amnistia në burgje kanë përfituar edhe subjekte të dënuar nga GJKKO. Basha kërkoi që të paktën nga kjo amnisti të distancohen deputetët e dalë nga votat e Partisë Demokratike, duke nënkuptuar dhe Gazment Bardhin dhe grupin e Rithemelimit.
“Çështje tjetër që desha të trajtoj është puna e amnistisë. Është e qartë që ajo që ngritën si shqetësim është plan i mirëfilltë. Pse nëse në rastin e projektligjit të parë u konsultua SPAK dhe në rastin e dytë jo.
Përgjigja është e qartë, Ulsi Manja dhe PS kanë patur vetëm një interes, kanë mbajtur më shumë se tre muaj të dënuarit për të liruar mbi 1oo të dënuar për korrupsion. Nuk do të ishte e mundur pa bashkimin e votave, ndaj kemi dorëzuar dje një kërkesë urgjente me Ulsi Manjën.
PD dhe deputetët e PD dhe çdokush i dalë nga votat e PD nuk mund të përfshihen në këtë Pazar të ndyrë që kishte për qëllim lirimin e zyrtarëve të korruptuar dhe të dënuar nga SPAK”, tha Basha./ZËRI