
TIRANË- Janë zbardhur diskutimet në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku të majtët janë gati që të votojnë të enjten në Kuvend, marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët dhe amnistinë penale. Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS, u diskutua axhenda e javës në Kuvend. Në fjalën e tij para deputetëve socialistë, Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë.
Duke qenë se për Amnistinë Penale duhen 84 vota, Çuçi tha se PS do të bashkëpunojnë me opozitën. Gjasat janë që 84 vota të bëhet me opozitën e Lulzim Bashës, pasi mazhoranca i pranoi propozimin e tyre për të amnistuar personat e arrestuar gjatë protestave të Partisë Demokratike.
"Projektligjin për Amnistinë Penale, Komisioni për Çështjet Ligjore parashikon për ta kaluar të martën. Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshme për miratim", deklaroi Çuçi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS kërkoi gjithashtu prezencë të deputetëve në seancë në mënyrë që projektligjet dhe marrëveshjet e parashikuara në rendin e ditës të miratohen.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i opozitës, nëse do të lejojë debatin në sallë apo do të vijojë me kaosin. Edhe në seancën e të enjtes së kaluar, që përkonte dhe me vizitën e sekretarit Blinken në Shqipëri, punimet nuk zgjatën më shumë se 15 minuta. Aksioni i opozitës pritet që të përcaktohet edhe nga protesta kombëtare që është thirrur ditën e nesërme para kryeministrisë./ZËRI