
TIRANË- Pas më shumë se dy vitesh zvarritje, Apeli i Gjykatës së Tiranës, pritet që të shprehet sot në lidhje me fatin e vulës së Partisë Demokratike zyrtare. Vendimi që pritet të jepet paraditen e sotme, do të ndiqet me interes nga të dyja kampet brenda PD-së, ndërsa shumë prej deputetëve janë parë sot në ambientet e Gjykatës.
Të pranishëm nga PD e Rithemelimit janë Gazment Bardhi, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Albana Vokshi, Luciano Boci, Luan Baci dhe Elda Hoti. Ndërsa përfaqësues ligjor janë Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso.
Ndërsa grupi i Bashës përfaqësohet nga anëtari i Kryesisë Endri Hasa, ndërsa avokatë janë Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi.
Dy palët që kërkojnë të njihen përfundimisht si Partia Demokratike, Rithemelimi dhe pjesa që mbështet Lulzim Bashën kërkojnë drejtësi nga togat e zeza në Apel. Treshja gjykuese përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023. Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
SI NISI PËRPLASJA PËR VULËN E PD
Më 11 dhjetor të 2021, Sali Berisha mbajti Kuvendin Kombëtar që shkarkonte Lulzim Bashën dhe ndryshoi logon dhe vulën
Më 18 dhjetor, Lulzim Basha zhvilloi Kuvendin e tij Kombëtar si përgjigje për Berishën dhe sanksionoi në statut se askush që është non grata nuk duhet të jetë pjesë e PD-së. Ndërkohë, po atë ditë mbështetësit e Berishës zhvilluan referendumin për ratifikimin e vendimeve të 11 Dhjetorit dhe nisi punën Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
Më 25 mars të 2022, Gjykata e Shkallës së Parë, me Gjyqtar Agron Zhukrin, tashmë të shkarkuar nga Vettingu pranoi kërkesën e Komisionit të Rithemelimit për të regjistruar ndryshime statutore, por vendimi u apelua nga Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar në atë kohë.
Më 3 mars të 2023, Gjykata e Apelit vendosi ta kthente në shkallë të parë, por ndaj këtij vendimi u bë rekurs nga Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Rithemelimi dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë.
Më 27 dhjetor 2023, Gjykata e Lartë riktheu çështjen në Apel dhe në vendimin e saj jep urdhëresa që gjykata e shkallës së dytë ta zgjidh përfundimisht çështjen.
/ZËRI