
TIRANË- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka folur mbrëmjen e djeshme për largimin e Ardi Veliut nga drejtimi i AMP-së, pasi emri i tij del në përgjimet e dosjes Metamorfoza. Vetë Balla tha se nuk kishte dijeni për këtë, por deklaroi se gjatë kohës që kanë punuar së bashku, rezultatet nuk kanë munguar. Megjithatë Balla tha se kushti për drejtuesin e ri të AMP-së është të vijë nga administrata civile, dhe të mos jetë një punonjës nga radhët e policisë së shtetit. Sipas Ministrit synimi i tij është të krijojë një Agjenci të Mbikqyrjes Policore e cila të ketë edhe besueshmërinë edhe bashkëveprimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese si SHISH dhe SPAK.
Taulant Balla: Mandati im në krye të ministrisë së Brendshme lidhet tërësisht dhe jetësisht me procesin e vetëpastimit të policisë.
Pse u largua Ardi Veliu?
Taulant Balla: Vetëpastrimi i policisë është një domosdoshmëri. Cleverly pasuesi i Braverman ka të njëjtën sfidë. Sa i përket Ardi Veliut ai ka dhënë dorëheqjen. Kemi punuar bashkë për rreth tre muaj. Rezultatet ishin të mira, por mund ta them që qasja ime si ministër i Brendshëm është që drejtori i AMP duhet të jetë civil nuk duhet të jetë ish-punonjës policie. Duke qenë se ke ikur nuk është se ke shkelur ligjin, por qasja duhet të jetë një qasje që ta mbajë larg policisë, por edhe ta kontrollojë. Kemi bërë një proces shumë të hapur ku mes tyre ka disa që e plotësojnë kriteret.
Çështja është që këto që kanë dalë deri tani tregon që ka një kalbje në polici, se kur oficerë të ktij niveli bashkëpunojnë me vrasës, japin informacione, kjo kalon çdo limit.
Taulant Balla: Po mos ishte ky problem unë nuk do ta vija prioritet vetëpastrimin e policisë dhe lidhjen e tyre me persona me rekorde kriminale. Dhe prandaj do duhet të vendosim një standart të ri dhe prandaj do të krijojmë një Agjenci të Mbikqyrjes Policore e cila të ketë edhe besueshmërinë edhe bashkëveprimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese ku bashkëveprimi me SHISH do të ngrihet në një nivel tjetër dhe bashkëveprimi me SPAK do të ngrihet në një nivel tjetër.
Emri i ri i drejtuesit të AMP-së pritet të zgjidhet brenda kësaj jave. Emrat që janë përzgjedhur nga ministria e brendshme nga 26 garues janë: Indrit Hitaj, Florian Sulejmani dhe Ramadan Çaço Xhavit Shala dhe Gentjan Shehaj.
Njëri prej këtyre emrave do të përzgjidhet nga kryeministri Edi Rama për të qenë në krye të AMP-së, me propozim të Taulant Ballës. Ardi Veliu tha dorëheqjen pas dyshimeve se emri i tij del në përgjimet e trafikantëve. Megjithëse u tha se atij do ti besohej një post i ri në administratën shtetërore, një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur.
/Zëri.ai