Politikë

Asambleja e PS-së, Rama ‘dush të ftohtë’ ish-ministres Xhaçka, kërkesa për drejtuesit e qarqeve

Sipas Ramës, pas largimit nga qeveria, Xhaçka ka qenë inekzistente në kontributin e saj në parti

E.K
Asambleja e PS-së, Rama ‘dush të ftohtë’
Rama duke hyre ne Asamblene Kombetare

TIRANË- Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së që po mbahet me dyer të mbyllura, kryeministri Edi Rama ka sulmuar ish-ministren e jashtme Olta Xhaçka. Sipas tij, që pas largimit nga qeveria ajo ka qenë inekzistente në angazhimin e saj partiak, e kjo për socialistët do të thotë edhe që nuk ka qenë aktive në rrjetet sociale. Rama po ashtu ka pasur kritika në këtë mbledhje për PS e Kavajës. 

Rama ka kërkuar një listë të të gjithë anëtarëve të Asamblesë të degës së Kavajës, të cilët nuk kanë pasur rezultateve në terren. Kavaja është një nga të paktat Bashki, që socialistët humbën në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Në mbledhjen e Asamblesë, Rama ka pasur dhe një kërkesë për drejtuesit e qarqeve. “Askush prej jush mos të më thotë se Partia Socialiste do të vijojë të fuqizohet përmes punësimeve”, zbulohet të ketë thënë Rama.

Deri tani kanë raportuar qarqet Tiranë, Berat, Shkodër dhe Lezhë, ku janë evidentuar problematika të ndryshme dhe janë lënë detyra për t’u korrigjuar. Në një prononcim më herët për mediat para nisjes së Asamblesë, Rama tha se do bëhet një analizë të situatës ku ndodhet partia.

Rreth 400 anëtarët e Asamblesë, përfshi kryeministrin Rama, ministrat dhe deputetët janë pjesë e takimit të sotëm me dyer të mbyllura të Asamblesë së PS. Në një njoftim gjatë ditës së djeshme, anëtarëve iu komunikua se pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme dhe mungesat do të konsiderohen të pajustifikuara.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB