TIRANË- Dënimi i sulmit të terroristëve serbë në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku duke se në parim ka "bashkuar" maxhorancën dhe opozitën. Në mbledhjen e sotme, në Konferencën e Kryetarëve u caktua që më 12 tetor, të mbahet një seancë plenare, ku për më shumë se 5 orë, në fund të të cilës pritet që të miratohet rezoluta që dënon sulmet në veri të Kosovës. Kreu i grupit socialist Bledi Çuçi tha se nuk kanë pika që mund t’i ndajnë e se nuk do ta kenë të vështirë që të kenë një rezolutë të përbashkët. Megjithatë vuri theksin që të dyja palët nuk mund “të nxitojnë”.
“Çdo rezolutë duhet të mbajë ndër mend pozicionin e Shqipërisë që ka në NATO dhe në çdo organizëm. Data mund të rishikohet që të jetë më shpejt, ndoshta të enjten e seancës. Por të hënën nuk mund ta bëjmë dot”.
Po ashtu, në një prononcim për gazetarët, Çuçi foli edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke u shprehur se maxhoranca do të diskutojë me opozitën, duke mos thënë përgjigje për ndarjen Basha-Bardhi.
PJESË nga PRONONCIMI:
Avokati i Popullit, e zgjidhini me Bardhin apo Bashën?
Çuçi: I takon opozitës, nuk e zgjidhim as me Bardhin dhe as me Bashën. Ju e simplifikoni shumë këtë problemin. Kjo është çështje që i takon të përfaqësojë opozitën. Do iu bëjmë me dije shumë shpejt për këtë gjë.
Reforma Zgjedhore, Bardhi iu ka sjellë propozime, a është paaftësia juaj që të merrni një vendim?
Çuçi: Tani këto pyetje sugjestionuese. Përgjigje unë po iu jap. Nuk do iu jap përgjigjen që doni ju, po atë që kam. Grupi parlamentar që kryeson zoti Bardhi vepron kundër. Nuk është qëndrimi ynë që të vazhdojmë kundër reformës zgjedhore. T'i vendosim ata emrat. Megjithatë do i shohim në seancën e radhës. Sot ka një komision që funksinon.
Pse është shtyrë votimi për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe lojrat e fatit, a i keni siguruar votat?
Çuçi: Lojrat e fatit janë në diskutim në Komisionin e Ekonomisë. Për pagat e gjyqtarëve nuk ka kundër në parim.
Nga ana tjetër, Gazment Bardhi, si kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, po ashtu kërkoi miratimin e një rezolute, me qëllim unifikimin e qëndrimit me Kuvendin e Kosovës. Bardhi u shpreh gjithashtu se gjatë ditëve në vijim do të punojnë për një draft të unifikuar, por shtoi se reagimi i maxhorancës është i vonuar.
“Po punojmë së bashku që të kemi një draft të unifikuar. Ka pasur diskutime për kohën. Qëndrimi jonë ka qenë se kjo është një çështje urgjente. Fillimisht kolegët e PS-së kërkuan më shumë kohë, por është rënë dakord që të kemi një seancë të posaçme dedikuar Kosovës të enjten e javës që vjen dhe koha e debatit të jetë rreth 5 orë,”-tha Bardhi në fjalën e tij.
Për Bardhin, reagoi deputeti (mbështetës i Lulzim Bashës) Kreshnik Çollaku, i cili pretendoi se me rezolutën Kuvendi shmangu ballafaqimin e Ramës për deklaratat për marrjen e Veriut nën kontroll nga KFOR. Bardhi në përgjigje deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje për të rrëzuar kërkesën e kolegëve të tij.
“Nuk ka asnjë marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve, me PS-në për të rrezuar kërkesën e disa deputetëve për interpelancë me Kryeministrin për çështjen e Kosovës. Në konferencën e kryetarëve është rënë dakord që do jetë prezent në seancë Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm për të dhënë sqarime. Në këtë rast Kryetari i Kuvendit ka shfrytëzuar nenin 89 pika 2 te rregullores duke i grupuar çështjet,”-sqaroi ai.
Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit i mori jetën një oficeri të Policisë së Kosovës. Por ndezi edhe njëherë tensionet mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, kësaj here u futën në 'lojë' edhe armët e grupe të armatosura që dyshohet se kanë mbështetjen e Beogradit zyrtar./Zëri.ai

