
TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë me dije se në të gjitha përgjimet e siguruara nga aplikacionit i inkriptuar "SkyECC" ka efektivë të Policisë së Shtetit. Por, në takimin e sotëm me gazetarët, Dumani tha se gjithsesi biseda nuk përbën asnjë vepër penale derisa të vërtetohet kompromentimi i tyre.
"Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i komprometojnë, atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë policë, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rastin që tashmë është publik, Xhevahir Lita,"-tha në fjalën e tij Altin Dumani.
Megjithatë ndryshe mendon ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai ka vendosur një ultimatum për të gjithë efektivët e Policisë, duke kërkuar largimin e tyre nga radhët e uniformave blu. Rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës plotësuan një formular vetëdeklarimi, ku duhet të raportonin nëse e kishin përdorur edhe më herët aplikacionin për të kontaktuar me personazhe të botës. Por gjithsesi çfarëdo lloj arsye të shkruajnë policët për përdorimin e aplikacioneve “SkyECC” dhe “EncroChat”, do t'u kushtojë largimin nga detyra.
SPAK, deri më tani, ka rreth 70 policë që po i heton, emrat e të cilave janë shfaqur në “SkyECC” dhe “EncroChat”. Por nuk ka bërë publike listën e plotë./ZËRI