Politikë

PD para SPAK për inceneratorët: Nuk do të tërhiqemi pa çuar para drejtësisë pronarin faktik

Klevis Balliu thotë se denoncimet nuk do të ndalen derisa hetimet e SPAK të vënë përpara përgjegjësisë fajtorët e vërtetë.

k.m.

PD para SPAK për inceneratorët:  Nuk do të tërhiqemi pa

TIRANË- Koordinatori i Partisë Demokratike për Tiranën, Klevis Balliu ka denoncuar sot përpara Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK për çështjen e inceneratorëve. Balliu thotë se denoncimet nuk do të ndalen derisa hetimet e SPAK të vënë përpara përgjegjësisë fajtorët e vërtetë. Nga selia e Partisë Demokratike, doli i deleguari politik për Tiranën, Belind Këlliçi në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, ka akuzuar SPAK se po amniston pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj dhe ideatorit Edi Rama.

DEKLARATA:

Të nderuar qytetarë, kushdo që ka patur edhe më të voglin dyshim, se kolegët e pronarit faktik të Inceneratorit Tiranë dhe kreut të Grupit të Strukturuar Kriminal Erion Veliaj, do të bënin drejtësi për aferën e shekullit, atë të vjedhjes së 132 milionë eurove përmes një inceneratori që nuk ekziston, dje ka marë një goditje dhe mesazh të qartë nga SPAK. Në një vendim të turpshëm, skandaloz, të denjë për republikat e bananeve, ditën e djeshme, organizata partnere që mbulon drejtësinë në PS, e cila sipas vetë fjalëve të kolegut të tyre Erion Veliaj, paguhet me buxhetin e Partisë Socialiste dhe godinën e ka marë dhuratë nga Bashkia Tiranë, na tha se përgjegjës për vjedhjen e 132 milionë eurove, janë 12 punonjës të thjeshtë të Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mjedisit, të cilët do të gjykohen për veprën e “shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim. Këta 12 punonjës, sipas SPAK janë përgjegjës për dhënien e bonusit 8% të pikëve kompanisë që nuk ekzistonte Integrated Energy BV sh.p.k., ku ndërkohë nuk ka sot shqiptar që nuk e di që personi i cili ka firmosur këtë bonus, edhe pasi është njoftuar dy herë nga dy Ministrat e atëhershëm Manjani dhe Felaj se kjo kompani nuk ekzistonte, është vetë Edi Rama. Janë Engjëll Agaçi dhe Edi Rama personat drejtpërdrejtë përgjegjës për këtë shkelje flagrante, e ndërkohë sot SPAK me urdhër të tyre, po çon në burg Anëtarët e Komisionit të Dhënies së Konçensionit, të cilët pa lejen e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, nuk mund as të shkonin në tualet.

Sipas SPAK, këta 12 punonjës janë përgjegjës edhe për procedurën e dhënies së konçensionit për ndërtimin e inceneratorit, edhe pse nuk ka sot shqiptar që nuk e di se është Erion Veliaj ai, i cili fillimisht propozoi këtë projekt dhe pas refuzimit kategorik të 2 ish ministrave të Financave të kohës, Cani dhe Ahmetaj, vetë Erion Veliaj firmosi më 27 mars 2017 miratimin e këtij konçensioni, në shkelje të plotë të Ligjit për “Vetqeverisjen vendore”, pa pyetur aspak Këshillin Bashkiak për këtë angazhim dhe gropë financiare në të cilin i futi qytetarët e Tiranës për 30 vite. Sipas SPAK, këta 12 punonjës janë përgjegjës edhe për të dhënat fiktive në studimin e fizibilitetit i cili u përdor për të rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve në 29 euro/ton, studim të cilin e kemi publikuar të plotë nga kjo foltore dhe me të cilin kemi parë pronarin faktik të inceneratorit Erion Veliajn, të rrihte gjoksin, studio më studio, duke thënë se po i kursente para qytetarëve të Tiranës përmes miratimit të këtij konçensioni hajdutërie dhe babëzie, i cili sot e ka çuar tarifën reale të pastrimit dhe depozitimit të mbetjeve të Tiranës në 101 euro/ton, nga 35 euro/ton që ishte propozimi fillestar i IFC dhe Bankës Botërore. Të nderuar qytetarë, dy fjalë dua ti them personalisht edhe si qytetar dhe djalë i këtij qyteti. E di që shumë prej jush janë lodhur apo mësuar tashmë me skandalet dhe vjedhjet e kësaj mazhorance. E di që për ju nuk është më ndonjë habi apo lajm nëse Erion Veliaj vjedh me skemën 5D të 5 Drejtorëve apo me skemën 7S të 7 Specialistëve.

Ne e dimë tashmë se në krye të Bashkisë Tiranë qëndron Erion Veliaj si simboli i hajdutërisë më banale që ka parë historia e këtij qyteti dhe në krye të qeverisë vijon të qëndrojë themeluesi i Narkoshtetit të parë në Evropë, Edi Rama. Por ky moment kërkon edhe më shumë forcë, besim, kurajo e qëndrueshmëri nga të gjithë ne, nga unë i pari, nga çdo opozitar dhe nga çdo shqiptar që ka vendosur të punojë e jetojë në këtë vend. Edhe pse SPAK ka rrëzuar tashmë çdo alibi apo ka hequr maskën se u ngrit si institucion për goditjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, edhe pse SPAK tashmë është rreshtuar totalisht në shërbim të verbër të pushtetit dhe është kthyer në vegël politike të qeverisë, ne nuk do të dorëzohemi. Garantojmë çdo qytetar shqiptar se Partia Demokratike do vijojë këtë betejë pa asnjë kompromis. Ne nuk do të tërhiqemi pa çuar para drejtësisë pronarin faktik të inceneratorit Tiranë Erion Veliaj dhe pa diskutim themeluesi i Narkoshtetit të parë në Evropë, Edi Rama do të ketë fundin më të zymtë politik e do të damkoset njëherë e përgjithmonë si kreu i një karteli droge dhe jo si kreu i një shteti të lirë e demokratik. Në ditët në vijim, ne do të vazhdojmë publikimin e dokumentave të reja për aferën e inceneratorit Tiranë, si vjedhjen më flagrante e të dokumentuar që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Garantojmë qytetarët shqiptarë se çdo zyrtar, prokuror apo gjyqtar, që bëhet palë dhe rreshtohet krahë hajdutëve në qeveri dhe Grupit të Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë, do të mbajë përgjegjësi një ditë para ligjit dhe shqiptarëve të thjeshtë.

DEKLARATA E PLOTË E KLEVIS BALLIUT: 

Jemi këtu për transparencën që po bëjmë në bazë të një vendimi të turpshëm. Një vendim i turpshëm që është kthyer në provë konkrete për kapjen e SPAK nga duart e mafies së inceneratorëve. Dje, ky institucion vendosi që të shpëtojë Erion Veliajn, Edi Ramën, Agaçin. Në veçanti për këtë njeri për të cilin janë bërë qindra denoncime, për Erion Veliajn dhe lidhjen e tij me aferën monstruoze të inceneratorëve. Dhe sot, SPAK u thotë qytetarëve se Erion Veliaj nuk di gjë për firmën e vet. Për këtë firmë. Si ka mundësi që SPAK nuk e sheh firmën e Erion Vekliajt?

Si ka mundësi që SPAK mbyll gojën, mbyll hetimet, mbyll veprimet për 12 persona, të cilët nuk mund të shkojnë as me pushime pa lejen e Veliajt, po paskan bërë aferën e shekullit qindra miliona eurosh pa dijeninë e tij? Ndërkohë që ky njeri ka firmosur, ka vënë firmën e tij, ka dhënë urdhrin e tij për vjedhjen monstruoze të qytetarëve të Tiranës. Dje SPAK u tha qytetrarëve të Tiranës se do të vazhdoni të paguani 80 mijë euro në ditë për inceneratorin që nuk ekziston. Dje SPAK u zyrtarizua si avokati i mafies së inceneratorëve.

Kjo është e rëndësishme për ët gjithë ata që duan një Shqipëri me drejtësi të vërtetë, por jo një Shqipëri ku drejtësia është kthyer në prostitucion juridik ku arrestohet dikush për të mbrojtur dikë tjetër, ku merret një ushtar për të mbrojtur një pronar, pronarin faktik të inceneratorëve. SPAK është kthyer në avokatin kryesor dhe themelor të aferës monstruoze të inceneratorëve dhe produkti sot është ky, që pavarësisht hetimeve, pavarësisht fakteve dhe provave, dhe pavarësisht faktit të tmerrshëm që inceneratori i Tiranës nuk ekziston, sot qytetarët vazhdojnë të paguajnë për këtë aferë korruptive plot 80 mijë euro në ditë.

Dhe pronari faktik i inceneratorëve vazhdon të jetë i lirë. Ndërkohë që ata që sot janë të arrestuar dhe janë nën hetim, nuk janë asgjë tjetër veçse zbatues të urdhrave. Edhe grupi i ekspertëve që kishin propozuar Edi Ramës për këtë aferë korruptive, merren nën hetim, kurse Edi Rama që ka firmosur nuk merret nën hetim. Apo Agaçi nuk merret nën hetim, nuk dënohet, nuk vihet në masë arresti. Të vetmit që vihen në masë arresti janë njerëzit dhe ushtarët e kësaj afere korruptive. Kjo është arsyeja themelore pse afera korruptive e inceneratorëve vazhdon dhe qytetarët vazhdojnë të paguajnë 80 mijë euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston. Mbrojtësi dhe avokati më i madh i kësaj afere korruptive dhe korrupsionit është SPAK. Nga pretendimi se do ishin heronjtë e fëmijëve tanë, tani SPAK është heroi i arkitektëve të korrupsionit, është heroi i Erion Veliajt, Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit./ZËRI

Poll

MOS HUMB