
TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se konflikti brenda partisë më të madhe opozitare mund të zgjasë edhe përtej vitit 2025, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e radhës parlamentare. I ftuar në emisionin ‘Real Story’, Bardhi tha se gjithsesi, PD-ja duhet të nisë të bashkohet e të diskutojë në tryezë për objektivat që duan të arrijnë. Kreu i grupit të PD-së kujtoi dhe takimin me kryeministrin Edi Rama dhe tha se ulja me kundërshtarin për një çështje madhore si ajo e Reformës Zgjedhore, nuk të bën ‘pis’.
Bardhi shtoi se mungesa e Lulzim Bashës, ish-kreut të PD-së në atë takim ishte për shkak të kompleksit të 17-majit, takim që e përndjek dhe sot e kësaj dite. Kështu, sipas tij, në vend që të diskutonte me kreun e qeverisë si kryeopozitar, Basha preferoi të largohej drejt Kosovës e të dërgnte Bardhin si përfaqësues.
“Për të ofruar një zgjidhje të mirë do të duhet të jenë të përfshirë dhe zoti Sali Berisha e Lulzim Basha, të dy. Procesi mund të zgjasë përtej 2025-s, në varësi se si shkon kohëzgjatja e konfliktit dhe gjetja e zgjidhjes brenda Opozitës. E rëndësishme është të bëjmë si fillim funksionale opozitën. Të ulemi në tavolinë dhe të diskutojmë me njëri-tjetrin se cfarë duam të arrijmë. Ndoshta kemi objektiva të ndryshme. Mua nuk më pis askush, përsa kohë i qëndroj parimeve të mia. Unë jam ulur në tryezë edhe me Ramën në vitin 2020, në kudër të reformës zgjedhore. Basha shkoi në një vizitë në Kosovë, nga kompleksi i 17 majit. Duhet ta themi, kishte kompleks nga 17 maji dhe ajo që prodhoi ai takim. Kështu, organizoi një vizitë në Kosovë dhe mua më dërgoi si përfaqësues të PD. Ai tha idetë e veta, unë thashë idetë e mia, u ndamë, i thamë mirupafshim njëri-tjetri sepse nuk gjetëm dakordësi. Fakti që t’i ulesh me kundërshtarin nuk të bën pis dhe nuk të jep ngarkesë që unë të ulem dhe të ndaj qëndrimet e përbashkëta me kampin opozitar,”- tha Bardhi ndër të tjera.