
ITALI- Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë, Antonio Tajani kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për mediat, pasi kryesuan së bashku takimin e dytë në nivel politik të Komitetit të Përbashkët Ekonomik (KPE) Itali-Shqipëri. Në konferencën për mediat kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se është drejt përfundimit marrëveshja për njohjet e pensioneve me Italinë, nga e cila pritet që të përfitojnë qindra mijëra shqiptarë.
“Ka shqiptarë që janë në Itali prej vitesh kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë Italinë dhe kemi kuptuar shumë mirë që marrëveshja për pensionet po arrihet pothuajse. Kemi fituar premtimin solemn nga zv.kryeminsitri, që kjo pikarritje nuk do të jetë një pikënisje tjetër, siç ndodh shpeshherë në anët tonë.
Shqiptarët e shumtë që punojnë kontribuojnë në Itali më në fund do të ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe ta falënderojnë këtë qeveri sepse më në fund do të çojë deri në fund këtë nismë shumë të rëndësishme, jo vetëm nga pikëpamja financiare por edhe nga pikëpamja sociale, e respektit dhe dinjitetit të punës së njerëzve”, tha Rama, ndërkohë që iu përgjigj dhe pyetjeve me karakter politik, ku Shqipëria për herë të parë kundërshtoi një raport të BE-së sa i takon situatës në Kosovë. Rama tha se në deklaratën e BE, të hartuar nga Borell, duhet të reflektohet situatA e fundit që ndodhi në Kosovë, dhe më pas Shqipëria do të jetë në një linjë me politikën e jashtme të Unionit.
“Për herë të parë të paktën në këto 10 vite të fundit, Shqipëria nuk është në një linjë me unionin, pasi në gjykimin tonë në deklaratë duhet të reflektohen zhvillimet e fundit në veri. Do të jemi në një linjë, vetëm kur të ketë një deklaratë që dënon shpalljen e ditëve të zisë në Serbi. I kemi kërkuar BE të vërë alarmin në nivelin më të lartë, dhe të përdorë të gjithë instrumentet në dispozicion për t'i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd”, tha Rama, ndërkohë që e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e Serbisë, që shpalli ditë zie pas përplasjes në Veri të Kosovës.
Sa i takon situatës në veri të Kosovës, edhe numri 1 i politikës së jashtme italiane tha se kishte pasur telefonata me Kurtin e Vuçiçin. Tajani u shpreh se Italia iu bën thirrje palëve që të shmangin ccdo agravim të situatës, dhe zgjidhja të jepet përmes dialogut politik.
“Sa i përket situatës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë aktet e dhunës, ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni. Fola personalisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandër, Vuçiç, i ftova për një zgjidhje që të jetë paqja e dialogut, u thashë që të ndalojnë çdo veprim.
Fola me ministrin Kozzeto që të vlerësojmë hipotezën e përforcimit të diapozitivit të KFOR për të shmangur incidente të reja dhe viktima të tjera. Puna e ushtarëve italianë atje vlerësohet nga të gjithë, ata kanë sjellë paqen dhe Italia për rolin dhe aftësinë e vet se di të dialogojë me të gjithë, mund të fillojë të luajë një rol për të sjellë paqen në një territor të komplikuar, por zgjidhja nuk është lufta por diplomacia.
I kemi bërë thirrje që të punojnë për paqen dhe të ndalojnë çdo lloj aktiviteti ushtarak. Dhuna sjell dhunë, dialogu sjell dialog. Do bëjmë çdo gjë që të rinisë dialogu. Italia do të bëjë pjesën e vet”, u shpreh Tajani për mediat./Zëri.ai