Politikë

Bardhi-socialistëve: Dorëzoni para drejtësisë Olta Xhaçkën

Gjatë fjalës së tij për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PD, Bardhi tha se Kryeministri Edi Rama po e mbron ish-ministren Olta Xhaçka.

E.K
Bardhi-socialistëve: Dorëzoni para drejtësisë Olta
Gazment Bardhi dhe Olta Xhaçka

TIRANË- Kreu i parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Baredhi u ka bërë thirrje këtë të martë deputetëve socialistë që të votojnë pro dërgimit të mandatit të deputetit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë fjalës së tij për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PD, Bardhi tha se Kryeministri Edi Rama po e mbron ish-ministren Olta Xhaçka. Ndërsa në fund u shpreh se uron “që deri të enjten mazhoranca të reflektojë, të tërhiqet nga porosia dhe të dorëzojë para drejtësisë fillimisht Xhaçkën dhe më pas të gjithë zytarët që janë përgjegjës për shkeljen e ligjit dhe që kanë justifikuar një vendim të kundraligjshëm të grabitjes së pronave publike në bregdet”.

Gazment Bardhi: Për llogari të Edi Ramës, njeriut që ka firmosur investimin strategjik për ministren e tij dhe për bashkëshortin e saj, sulmuan hapur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe duke zhbërë në këtë formë sistemin demokratik që vendimmarrja e Kuvendit, kontrollohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Qytetarët ishin dëshmitarë se si në mënyrë të strukturuar, kolegët në Konferencën e Kryetarëve sulmuan vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese që detyron kuvendin për shtjellim për mandatin e Xhaçkës. Skenari, akti final i daljes zbuluar të kryeministrit që sa herë nuk i pëlqejnë vendimet e drejtësisë që prekin interesat e tij, i gatshëm të mos i zbatojë vendimet e institucioneve të drejtësisë. Apel cilitdo që ka mbështetur zbatimin e Reformës në Drejtësi që të reagojë sot sepse praktika do të ishte e rrezikshme që hedh në erë parimet e shtetit ligjor. Rama do të mbrojë vetën dhe përmes vetes, edhe Olta Xhaçkën. Nëse zbatimi i vendimeve gjyqësore është në dorë të qytetarëve që preken nga këto vendime, çdo qytetar në të njëjtën linjë, ngre flamurin e bardhë dhe thotë që nuk zbaton vendimet e gjykatave. Do të ishte precedent i rrezikshëm. Uroj që deri të enjten mazhoranca të reflektojë, të tërhiqet nga porosia dhe të dorëzojë para drejtësisë fillimisht Xhaçkën dhe më pas të gjithë zytarët që janë përgjegjës për shkeljen e ligjit dhe që kanë justifikuar një vendim të kundraligjshëm të grabitjes së pronave publike në bregdet.

Çfarë ka ndodhur me mandatin e Xhaçkës

Në janar të vitit 2023 Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate duke kërkuar që të vendosë për të kundërtën. Por, zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti me justifikime të ndryshme, ndërkohë që mazhoranca shfrytëzoi krizën e re në Kuvend për shkak të protestave të opozitës, si justifikim për shtyrjen e çështjes pa afat.

Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi në korrik një raport, ku i sugjeronte Kryetares së Kuvendit, rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Nikolla, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshme parlamentare, përdori justifikime të ndryshme për mosveprimin.  Pasi u justifikua në vjeshtë me axhendën e ngjeshur, në dhjetor kabineti i saj tha se kjo çështje do të shqyrtohej me kthimin e normalitetit të punës në Kuvend.

Ndërkohë, më 8 prill 2024, mbledhja e Këshillit për Mandatin dhe Imunitetin, u mbyll pa një vendimmarrje të qartë nga socialistët, në të cilën u diskutua mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçkës. Socialistët thanë se do ti drejtohen seancës së të enjtes, për të pyetur deputetët që të shprehen mbi rastin Xhaçka, por nuk pranuan që të propozohet raporti i opozitës, që konstaton shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit nga deputetja socialiste. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta dërguar çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, sërish në Kuvendi e Shqipërisë, do të duhet që deputetët të verifikojnë mandatin e një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë./ZËRI

Poll

MOS HUMB