Politikë

Bashkimi i 2 PD-ve, me 5 mars mblidhet Këshilli Kombëtar/ Bardhi dhe Gjekmarkaj nënkryetarë, ftesë edhe Tabakut

Ditën e martë do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike për të bërë "shkrirjen" në një të të dyja strukturave.

k.m.
Bashkimi i 2 PD-ve, me 5 mars mblidhet Këshilli Kombëtar/ Bardhi dhe
Foto ilustruese

TIRANË- Bashkimi i dy Partive Demokratike, asaj të Gazment Bardhit dhe të kryedemokratit Sali Berisha, tashmë do të firmoset dhe do të vuloset. Si provë e bashkimit, ditën e martë do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike për të bërë "shkrirjen" në një të të dyja strukturave. Me të gjitha formalitetet dhe formacionin e shkrirjes po merren zyrtarët e PD-së duke nisur nga sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka; dy nënkryetarët Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi. Po ashtu, edhe nga kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

Gazetari Osman Stafa zbuloi se formula e bashkimit do të bëhet nëpërmjet propozimeve për ndryshime statutore. Të martën, 1 orë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, i cili ka edhe "bekimin" e kryedemokratit Sali Berisha, do të mblidhet Kryesia e demokratëve. Atje do të propozohen ndryshimet dhe më pas do kalohen për miratim në Këshillin Kombëtar.

Ndryshimet që janë bërë në Statut nxjerrin automatikisht 2 nënkryetarë të rinj; Gazment Bardhin dhe Agron Gjekmarkajn. I pari e merr postin e ri për shkak se mban paralelisht edhe atë të kreut të grupit parlamentar. Ndërsa i dyti, për shkak se mban postin e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Por këta nuk janë të vetmit që pritet t'i bashkohen PD-së. Për të afruar pranë selisë blu edhe deputeten Jorida Tabaku, ka një propozim edhe për të. Të martën do të propozohet të zgjidhet anëtare e Kryesisë, post që aktualisht e ka Sali Berisha. Gjithashtu, Kryesia pritet të zgjerohet edhe me Ervin Salianjin dhe Zheni Gjergji.

Megjithatë mbetet për t'u parë nëse do të ketë ndryshime të tjera në struktura, apo dhe bashkime nga deputetë të tjerë që deri më tani janë reshtuar pas kreut të PD-së së vulës, Lulzim Basha./ZËRI

Poll

MOS HUMB