Politikë

“Beleri” do pengojë hyrjen në BE? Rama: E pakuptimtë të diskutohet

Rama përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se çështja është subjekt i organeve të drejtësisë. Por gjithashtu nuk e kurseu ironinë. 

k.m.
“Beleri” do pengojë hyrjen në BE? Rama: E pakuptimtë
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kërcënimeve të Greqisë se do të kthehen në pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. E gjitha për prangosjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në një intervistë në "Real Story", i pyetur nëse Greqia do të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE për shkak të çështjes Beleri, Rama përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se çështja është subjekt i organeve të drejtësisë. Por gjithashtu nuk e kurseu ironinë. 

“Nuk besoj se do vazhdojë shqetësimi i Greqisë deri në 2030 dhe nëse do mbetet kjo punë te Beleri, nami u bëftë, ne mos hyfshim kurrë në BE. Por unë nuk besoj se kjo do mbetet aty, kjo është një çështje që është e pakuptimtë edhe të diskutohet më. Ne e kemi kryer këtë diskutim, zotëria është subjekt i organeve të drejtësisë, janë ato që do vendosin çdo ndodhë me të. Sa i përket, përtej humorit, 2030 për mua nuk ka shumë rëndësi, nëse jemi formalisht apo jo në BE, për mua ka rëndësi që ne të bëhemi një vend me të gjithë parametrat e BE për veten tonë, për fëmijët tanë,”- u shpreh Rama.

Arrestimi i Fredi Belerit më 12 maj me akuzën e korrupsionit në zgjedhje dhe mbajtja e tij në paraburgim ka sjellë acarim në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Për çështjet e Belerit është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimin të paligjshëm e politik. Sipas Athinës zyrtare, kreu i qeverisë shqiptare do një të besuar të tij në Himarë për të shitur pronat e minoritetit grek, ndërsa Rama ka reaguar disa herë zyrtarisht duke u shprehur se nuk ka asnjë ndikim tek drejtësia. Ndërkohë që çështja është ende në gjyq, Greqia po ushtron një presion në rrugë diplomatike, duke kërcënuar se do të pengojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, me pretendimin se nuk respekton minoritetet./Zëri.ai

 

Poll

MOS HUMB