
TIRANË- Pavarësisht se qëndron në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, Sali Berisha e ka gjetur një mënyrë për të shkuar në Kuvend. Kjo është bërë dhe “mollë sherri”, mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe deputetes demokrate Albana Vokshi. Kjo e fundit, sëbashku me kolegen Sorina Koti dhe deputetë të tjerë, kishin veshur një T-shirt që mbante të stampuar një foto të Sali Berishës ku shkruhej “Free Berisha”. Sipas Ballës, kjo nuk është normale.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se nuk mund të shkohet në Kuvend dhe të flasësh për luftën ndaj korrupsionit duke mbajtur të stampuar një T-shirt me fytyrën e Berishës të stampuar. Një thirrje Balla e kishte dhe për drejtuesit e Kuvendit.
Taulant Balla: Më duket më shumë se qesharake të jesh në Kuvend dhe të flasësh për luftën kundër korrupsionit dhe të mbash në gjoks një person të dënuar për korrupsion. Një qytetar që sheh nga TV, edhe sheh strishën e lajmeve që deputeti filan po flet për korrupsionin dhe sheh bluzën e personit të dënuar për korrupsion. Kursejani qytetarëve këtë dhe mund ta bëni çdo ditë poshtë ballkonit. Ju kam parë edhe tek protesta te bashkia. Nuk e gjej dot shpjegimin pse duhet të shkosh të protestosh te bashkia me bluzën: Lironi Saliun! Nuk e gjej dot përgjigje. Liro Saliun tek bashkia, çlidhje ka? Minimalisht, edhe një sugjerim në formë kritike për drejtuesit e Kuvendit. Kuvendi ka një kod etike, ku deputetët duhet ta respektojë dhe me veshjen. Do ta quaja fyerje prezencën e disave prej juve këtu./ZËRI