
ATHINË- Pas shumë diskutimesh që po i paraprijnë vizitës së Kryeminsitrit EdI Rama në Athinë, tashmë është konfirmuar dhe vendi ku do të mbahet takimi i kreut të ekzekutivit me qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi. Raportohet se takimi do të zhvillohet në stadiumin e mbyllur të Galatsit. Më herët mediat greke shkruajtën se kreu i qeverisë shqiptare nuk kishte gjetur ende një vend ku të zhvillonte takimin ndërsa kjo vizitë solli një valë të re tensionesh diplomatike mes Athinës zyrtare dhe Tiranës. Takimi i Ramës do të zhvillohet më datë 12 maj.
Një ditë më parë, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se vizita në Athinë e Ramës është e panevojshme, megjithatë shtoi se nuk mund ta pengojnë, pavarësisht thirrjeve të ndryshme që janë bërë nga grupe ekstremistësh. Pas Mitsotakis reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, që theksoi se vizita e tij në kryeqytetin grek nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet për Parlamentin Europian apo ndonjë narrativë tjetër specifike që zgjon interesin e politikanëve grekë.
Kreu i qeverisë thotë se vizita e tij ka qenë e planifikuar prej kohësh dhe bëhet për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e për të ndarë me ta krenarinë e atdheut dhe vizionin “Shqipëria 2030”. Në ndryshim nga Greqia, Shqipëria ka qenë gjithnjë e hapur për takimet e politikanëve grekë, siç do të ndodhë edhe sot, ku kreu i opozitës fqinje, do të vijë dhe do të takojë komunitetit grek në jug të vendit tonë./ZËRI