Politikë

Berisha me demokratët në Brescia: LaCivita s'erdhi për para tek ne! Fushata e PS? E shkretë

Një fjalë të shkurtër mbajti edhe LaCivita deklaroi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë, e cila sipas tij është rezultat i drejtimit 12-vjeçar të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste.

k.m.
Berisha me demokratët në Brescia: LaCivita s'erdhi për para
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me demokratët në Brescia të Italisë. I shoqëruar nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Syla dhe drejtuesi i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, strategu amerikan Chris LaCivita, Berisha theksoi rolin vendimtar që diaspora shqiptare mund të ketë në zgjedhjet e 11 majit. Një fjalë të shkurtër mbajti edhe LaCivita deklaroi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë, e cila sipas tij është rezultat i drejtimit 12-vjeçar të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste.

"Shqipëria po përballet me një krizë të vërtetë. Po humb më të mirët dhe më të mençurit. Për mundësi dhe oportuniteti që sot Shqipëria nuk i ofron. Nuk ofron mundësi sepse për 12 vitet e fundit, Edi Rama dhe socialistët i kanë bërë këtë të pamundur. E vetmja rrugë që kjo të ndryshojë është të ngriheni dhe të gjithë të shkoni e të votoni. Shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë kanë një mundësi të jashtëzakonshme për të ndryshuar drejtimin e Shqipërisë. Çdo votë ka rëndësinë e vet, por sidomos ata që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ju jeni këtu për të vendosur për të ardhmen tuaj, por edhe të familjes tuaj. Por tani ju keni mundësi që të ndryshoni edhe të ardhmen e Shqipërisë. Në 2024 Donald Trump u bë president i SHBA-së, sepse solli për të votuar pjesën më të madhe të amerikanëve. Duke dalë të gjithë, sa më shumë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, për numrin 1 për doktor Sali Berishën, ju do ta bëni Shqipërinë të madhe përsëri. Faleminderit!,"-tha LaCivita.

Ndërkohë kryedemokrati Sali Berisha foli për këtë të fundit, duke theksuar se amerikani nuk e kishte zgjedhur të djathtën shqiptare për para, por nga dëshira për të rikthyer në pushtet. 

"Miq, kush imagjinonte, cili imagjinonte në Shqipëri apo jashtë saj se, në këtë fushatë shqiptarët do ti përshëndeste njeriu i cili kishte qenë bashkëarkitekti i rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Chris LaCivita. Me ardhjen e tij në Shkurt, të nesërmen Edi Rama i ra tavolinës me grushte, vetëm sa nuk i ra me kokë. Tani e sheh veten të humbur dhe përpiqet ti japë zemër me gënjeshtrat që beson. Miq, miku ynë Chris LaCivita nuk erdhi as për para, as për influenca sepse opozita të tjera më të mëdha se e jona, më të fuqishme i kishin bërë dhjetëra e dhjetëra oferta. Por arkitekti i rikthimit, ai e ndjeu se Sali Berisha dhe Partia Demokratike duhet të riktheheshin në pushtet,"-tha Berisha. 

Po ashtu, një koment e bëri edhe për hapjen e fushatës së kryeministrit Edi Rama dhe socialistëve në sheshin "Skënderbej". Berisha e cilësoi si fushatën më të "shkretë" të Partisë Socialiste.

Berisha: Dje Toto Rino i Shqipërisë, paraqiti programin. Hapi fushatën më të shkretë që ka hapur ndonjëherë ajo parti që nga koha e PPSH. Falënderoi socialistët e Tiranës që e lanë në vetminë më të madhe. u treguat patriotë. Programi ynë për të gjithë shqiptarët. U përpoq të mbuloj dështimin me vallen e ministresha të stolisura si sulltanesha e Zululandit me aksesore nga më të kushtueshmit. Në fjalën e tij hallet e qytetarëve nuk ekzistojnë. E mbyllën programin me vallen e hajdutit. 11 maji po vjen, është fundi juaj, ligji ju pret. U tundi shqiptarëve pasaportën europiane. Pasaporta europiane e Edi Ramës, ka fytyrën e Taulant Ballës. Erion Veliajt, e bandave dhe Suel Çelës. T’i japim përgjigjen që meriton.

Ndërkohë që Berisha ishte në Brescia, kryeministri Edi Rama ishte gjithashtu në rajonin e Lombardisë, duke zhvilluar një takim me qytetarët në Milano./ZËRI

Poll

MOS HUMB