
TIRANË- Është mbajtur sot në Gjykatën e Posaçme seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u përfaqësua nga avokatja Klodiana Gjyzqari, e cila më herët ka bërë mbrojtjen e Fredi Belerit. Dy avokatët e Berishës Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj, kanë munguar në seancë për shkak të problemeve mjekësore. Fillimisht Mëngjesi, ka kaluar një periudhë të vështirë pas dhunimit barbar që iu bë nga disa persona, dhe tashmë Gjokutaj, i cili ka pasur një problem me këmbën.
Në një komunikim të shkurtër me mediat pas seancës, Gjyzqari u shpreh se SPAK ka pranuar që t’i kalojë fashikujt në rrugë elektronike Berishës, pa qenë e nevojshme që të paguajë shpenzimet gjyqësore.
Klodiana Gjyzqari avokatja e cila përfaqësoi ish-kryeministrin Sali Berisha në seancën e GJKKO, pasi Genc Gjokutaj kishte probleme shëndetësore tha se SPAK pranoi t’i kalojë fashikujt në rrugë elektronike.
“Spak pranoi të na i kalojë fashikujt në rrugë elektronike dhe pa paguar shpenzimet gjyqësore”, është shprehur avokatja. Nga ana rjetër Gjykata nuk u shpreh për revokimin e masës së Berishës, i cili kërkon gjithashtu ndryshimin e arrestit të shtëpisë, nga ku mbahet që prej Dhjetorit të vitit të kaluar.
Fashikujt që pritet t’i kalojnë avokates janë hetimet e kryera përgjatë këtyre dy muajve. Seanca ndaj Berishës u shty dhe pritet të mbahet më 30 korrik, ndërkohë që më herët Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e tij për masën e sigurisë.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhen në arrest shtëpie. Berisha akuzohet për korrupsion, vepër që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, për t’i dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili e ktheu atë në një kompleks banimi me 17 kulla, duke marrë më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor dhe më pas u lirua. Kjo pasi edhe ai dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi. /ZËRI