Politikë

Berisha pas rikonfirmimit në krye të PD: Mirënjohje demokratëve për votëbesimin masiv

Ai pati gjithashtu një mesazh edhe për ata që votuan kundër ose abstenuan

l.k
Berisha pas rikonfirmimit në krye të PD: Mirënjohje
Sali Berisha

TIRANË- Sali Berisha ka reaguar pas përfundimit të referendumit brenda PD-së, ku u rikonfirmua në krye të partisë me votat e anëtarësisë.

Në deklaratën e tij për mediat, Berisha shprehu mirënjohje për demokratët që morën pjesë në procesin e votimit dhe i dhanë mbështetje në këtë proces. Ai pati gjithashtu një mesazh edhe për ata që votuan kundër ose abstenuan, duke theksuar se mendimi i tyre do të merret në konsideratë. Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet një forcë politike e ndërtuar mbi diversitetin dhe standardet demokratike.

Sipas rezultateve zyrtare, Sali Berisha u rikonfirmua në krye të Partia Demokratike me 37,341 vota pro.

Fjala e Berishës para mediave:

"Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta.

Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike.

Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe.

I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan.

Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik.

Shumë mirënjohje për ata qindra e qindra komisionerë në të katër anët e vendit, të cilët organizuan këtë proces shembullor në të gjitha degët e PD të Shqipërisë.

Falënderim të përzemërt për kryetarët, udhëheqësit politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve në mbarë vendin, kryesitë dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces."/ZËRI

Poll

MOS HUMB