
ELBASAN- Kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar ekipin e tij në qytetin e Elbasanit. Berisha zhvilloi sot një takim dhe renditi premtimet dhe kërkesat që do të përmbushë, nëse do të vijë në pushtet. Sipas tij, paga e mësuesve do të jetë minimalisht 1500 euro duke i dhënë kështu prioritet sistemit arsimor. Berisha përmendi anëtarët e grupeve kriminale dhe tha se ata do të përfundojnë pas hekurave, duke qëendruar kështu larg qytetarëve që janë terrorizuar prej tyre.
Berisha tha se do të vendosin minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo student, për çdo shtëpiak, për çdo qytetar që firmos në borderotë e shtetit shqiptar dhe se nga kjo përfitojnë mbi 560 mijë pensionistë, të gjithë studentët që meritojnë bursën dhe të gjithë ata që janë në ndihmë ekonomike. Për shtresën e varfër, kryedemokrati tha se do përdorin kartën e konsumatorit, ata do i blejnë ushqimet, duke marrë mbrapsht TVSH-në.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Sot unë rikthehem sërish në këtë qytet për të dhënë mesazhin se këtë vit Elbasani dhe mbarë Shqipëria do të kenë një ditë të dytë vere dhe kjo do jetë 11 maji. Elbasani është dëshmi e njërës prej vjedhjeve më të mëdha të shekullit. Ja ku është llamarina që solli Edi Rama me ministrat e tij. Jashtë funksioni, nuk ka prodhuar asnjë kilovat orë që kur është instaluar. Miq, nuk ka një popull të dytë më të vjedhur se sa shqiptarët në 12 vite. Alternativa e tyre mbeti vetëm të largohen nga ky vend sepse këtu nuk mund të siguronin mbijetesën, pa le më të ndërtonin ëndrrën e tyre. Miqtë e mi, ne paraqesim para jush sot kandidatë, djem, vajza, burra dhe gra fisnikë, njerëz që ju i njihni. Këtu kemi Tomorr Alizotin, një nga përfaqësuesit më dinjitozë të brezit të tij. Dhe fjala ime e nderit është se ky ekip, deputetë në parlamentin shqiptar, është garanti më i fuqishëm për të bërë realitet programin e Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore pikë për pikë. Deputetët e krahut tjetër janë përzierje Ndragheta-Çela. Edhe Balla, por Balla është mbrapa. Janë pra kandidatë të krimit qeveritar, të krimit ordiner, të krimit të mafies. Arbjan, ty të solli Edi Rama në Elbasan për të shpëtuar lëkurën se ortakun tënd, Milorancin, antimafia italiane e çoi atë ku duhej të ishte. Të solli këtu në Elbasan me lejtnant Suel Çelën dhe bandën e tij. Elbasani nuk është i mafies, është i dijes, është i qytetërimit, është i burrërisë, është i mençurisë.
Ndaj dhe ne do e nisim hapin e parë drejt Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore duke vendosur minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo student, për çdo shtëpiak, për çdo qytetar që firmos në borderotë e shtetit shqiptar. Nga kjo përfitojnë mbi 560 mijë pensionistë, përfitojnë të gjithë studentët që meritojnë bursën, përfitojnë të gjithë ata që janë në ndihmë ekonomike. 200 euro nuk janë shumë, por ka një kriter, me 6.3 euro në ditë, përjashtohet varfëria ekstreme. Çdo vend i lirë nuk pranon varfërinë ekstreme dhe ne, 100 ditët e para të qeverisjes sonë, do e zhdukim nga Shqipëria. Ndaj kësaj shtrese ne do përdorim kartën e konsumatorit. Ata do i blejnë ushqimet, duke marrë mbrapsht TVSH-në. Ajo në një vit është 450 euro minimumi. Rrogat minimale do të rriten në 500 euro. Sipërmarrësve u kërkoj mirëkuptimin. Unë e kuptoj që kjo është ngarkesë, por u jap fjalën e nderit që do ulim taksat në atë shkallë, sa atyre do u mbeten para më shumë në llogaritë e tyre se më parë. Rikujtoj sot një ditë në jetën time të veçantë, në vitin 2005, unë u kam premtuar në këtë qytet mësuesve të Shqipërisë dyfishimin e rrogave. Jam sot këtu po në Elbasan për t’u premtuar mësuesve të Shqipërisë se në krye të një mandati, rrogat e tyre do jenë 1500 euro.