
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është ndalur tek ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja mbrëmjen e sotme, teksa fliste nga ballkoni në protestën e përnatshmë. Përballë mbështetësve të tij që mblidhet në rrugën “Mustafa Matohiti”, të cilën e kanë vetëquajtur “Rruga e shpresës”, Berisha është shprehur se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nuk po e akuzojnë për korrupsion siç e meriton, por veç për shpërdorim detyre. Berisha tha se, ish-ministri i Edi Ramës hyn dhe del në SPAK, si të ishte në selinë e PS-së.
Gjatë fjalës së mbajtur, Berisha e vuri theksin në investimet e bëra gjatë qeverisjes së PD. Berisha tha se, gjatë kohës së qeverisjes së tij, taksat e shqiptarëve u përdorën për të ndërtuar dhe rikonstruktuar spitalet në të gjithë Shqipërinë.
Kryedemokrati Sali Berisha, tha se gjatë qeverisjes së tij, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rritën me 150 %, ndërsa sot ata po largohen nga vendi.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, misionarë të vërtetë të dinjitetit, të lirisë, të shpresës, të të ardhmes. Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufijshme për qëndresën tuaj, për angazhimin tuaj të përnatshëm, për fjalët tuaja frymëzuese për çdo shqiptar. Sonte unë do sjell në vëmendjen tuaj një shërbim që është jetik për çdo shqiptar, për çdo të moshuar, për çdo të sapolindur, për çdo fëmijë, për çdo nënë, për çdo të sëmurë. Shërbimin shëndetësor. Unë nuk pretendoj dhe nuk them se në vitin 2013 ishte shërbimi shëndetësor që meritonin qytetarët. Por e them me shifra dhe fakte të vërteta se ishte i pakrahasueshëm me shërbimin e sotëm. Miqtë e mi! Ishte i pakrahasueshëm se ato taksa tuaja, ato të ardhura tuaja që u përdorën për shëndetësinë, shkuan së pari për të rritur me 150 përqind rrogën e infermierëve. Në vitin 2005, infermierja merrte 150 mijë lekë. Në mbarë Shqipërinë, sterilizimi ekzistonte, nuk e shpiku Sali Berisha atë. Atë e kanë praktikuar që nga fillimet e mjekësisë shqiptare në dekada e dekada. Por nuk ndodhte kurrë që ai proces të kushtojë sa sot, 83 herë më shumë se në vitin 2013. Jo, nuk mund të ndodhte. Nuk mund të ndodhte kurrë që ai proces që ju e paguani me taksat tuaja, të kushtojë sot në Tiranë 4 herë më shtrenjtë se në Berlin, 5 herë më shtrenjtë se në Londër. Dhjetëra e dhjetëra milionë euro u përdorën për rindërtim spitalesh. 22 milionë për spitalin e urgjencës, 50 milionë të tjera u bënë gati për QSUT-në. Ky ishte përdorimi i taksave tuaja qytetarë. Sot, spitalet mbyllen njëra pas tjetrës. Sot, specialistët mungojnë edhe në spitalet rajonale shumë të rëndësishme. Fare e thjeshtë miq, sepse paratë që ju paguat o qytetarë, dhe jo pak, por të paktën 300 milionë euro, u vodhën, u vodhën dhe vetëm u vodhën nga ministra dhe zyrtarë të Edi Ramës. Sepse Edi Rama me ministren e tij e shndërruan Tiranën në spital. Nuk shtronin të sëmurët, i mbanin në shtëpi në një kohë kur në gjithë botën dilte se mbajtja në shtëpi shënonte rritje vertikale të vdekshmërisë.
Ndaj qytetarë, duhet të pyesni, çfarë po ndodh me ju? Kush po e paguan? Ju lutem, ftoj qytetarët të pyesin. Kush po paguan faturën e këtij rrënimi të shëndetësisë? Ata dhe vetëm ata. Se ministrat, qeveritarët shërbimet i marrin në botë, në spitalet më moderne, dhe kur ndonjëherë bjenë në mbidozë nga kokaina. Se tani kanë filluar kokaina-party. Këto para i vjedh Edi Rama me ministrat e tij. Sterilizimi kushtonte gjer në vitin 2013, 800 mijë euro. Blemë një aparaturë ultramoderne, ndërtuam spitalin, e instaluam për të pasur sterilizim të cilësisë më të lartë. Çfarë ndodhi? Ia dhanë mikut të Edi Ramës, muratorit, i cili me diplomë mjeku kishte një skuadër ndërtimi me dy punëtorë në Itali. Tani miq, ju e keni ndjekur gjyqin. Nuk ka krim më të shëmtuar. Sterilizatorët janë vjedhja e dytë të shekullit. Po, po. Sepse me këtë procedurë, Ilir Beqaj me urdhër të Edi Ramës rriti me 83 herë çmimin e sterilizimit. Sepse me këtë procedurë, Ilir Beqaj i dha kompanisë së Edi Ramës dhe vetes, aparaturën e blerë gratis dhe katin e spitalit, energjinë elektrike falas, ujin falas. Dhe më e keqja, më e zeza, çdo muaj përjashtoheshin nga operacionet 1 mijë shqiptarë, sepse spitalet nuk blinin dot kompletet kirurgjikale nga kompania e sterilizimeve. Çdo muaj 1 mijë, në një vit 12 mijë, në 5 vite, 60 mijë. Po sa prej tyre kanë vdekur se nuk arritën të operoheshin. Beqja hyn dhe del në SPAK si në selinë e PS. E dini se ç’po ndodh? Beqen, i cili ka firmosur kontratën e sterilizimit, Beqen i cili ka firmosur hapjen e tenderit për sterilizimin, Beqën i cili ka firmosur pikët për kompaninë e muratorit të Edi Ramës, Beqën i cili ka firmosur dhënien e ujit dhe energjisë falas kompanisë së tyre, Beqën që ka firmosur dhënien e aparaturës falas dhe katit dhe lokaleve kudo në Shqipëri, Beqa do të shkojë pas insistimit të gjykatës, jo me akuzë për korrupsion, jo për korrupsion, por thjesht për shpërdorim detyre. Pse ua thashë këtë? Ua thashë këtë se nuk ishte Beqja që dilte nga një studio në studio tjetër më gërshërën e bishtthyer dhe pincën me një krah. Ishte Rama qytetarë që paraqitej para jush, dhe ju thoshte se me çfarë jeni operuar gjer më sot. Një çfarë të thuash. Se gërshëra me një krah nuk pret, se pinca me një krah nuk mban. Dhe Edi Rama e bënte këtë vetëm e vetëm se sipërmarrja, vjedhja e dytë e shekullit ishte e tij. Ishte ai hajduti kryesor i saj. Kurse SKAP-i partisë, Duman-Kraja e të tjerë, e dërgoi për shpërdorim detyre. Po pse e bëjnë këtë? Sepse Dumani, pasi bëri një mendim veças në padinë e parë, që nuk u bë asnjë padi ndaj Beqës, u tërhoq, ia mbyllën gojën.