
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka deklaruar se të gjitha makinat që i janë sekuestruar eksponentëve të ndryshëm të krimit, gjatë vitit që lamë pas, do t’i kalojnë policisë së shtetit, në mënyrë që të përmbushë nevojat e saj. Balla deklaroi se mjetet e shpejta do të kalojnë në pronësi të repartit të policisë rrugore, ndërsa pjesa tjetër do ti kalojë repartit RENEA.
“Mjetet luksoze të cilat përdoreshin nga anëtarë të organizatave kriminale, të konfiskuara, apo edhe të sekuestruara, do t’i kalojnë Policisë së Shtetit për të përmbushur nevojat e saj. Mjetet e shpejta do të përdoren nga Policia Rrugore, ndërsa mjete të tjera do t’i kalojnë Repartit RENEA për operacionet e tyre. Mjete apo prona të paluajtshme të krimit apo korrupsionit, të konfiskuara, nuk do të nxirren më në shitje, për të parandaluar rikthimin e tyre tek të njëjtët, por do të përdoren për nevoja të shtetit”, u shpreh Balla.
Bëhet fjalë për 144 makina që janë sekuestruar nga grupe dhe personazhe të lidhura me krimin e organizuar në Shqipëri. Një pjesë e tyre, që janë konfiskuar përfundimisht do ti kalojnë menjëherë reparteve të policisë së shtetit. Në mesin e pasurive të sekuestruara është dhe një gomone, e cila për efekt magazinimi është lënë në ruajtje në portin e Durrësit.
Balla tha se nuk do të shitet asnjë pronë e konfiskuar nga krimi i organizuar, pasi sipas tij ka gjasa që ato të kthehen te personat që i kanë pasur më herët. /ZËRI