TIRANË- Kreu i SPAK, Klodian Braho, u pyet gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve edhe për marrëdhënien mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, si dhe për operacionet e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në terren.
Gjatë diskutimeve, deputetët ngritën edhe çështjen e ndërhyrjeve të BKH-së për arrestimin e personave në kërkim pa asistencën e Policisë së Shtetit, duke iu referuar rastit të Adi Çobës në Durrës.
Në përgjigjen e tij, Braho theksoi se Policia e Shtetit mbetet partneri kryesor i SPAK-ut, por nënvizoi se institucioni duhet të ketë pavarësi procedurale dhe operacionale për të garantuar efektivitetin e hetimeve.
“Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi patur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin me të madh për Policinë e shtetit, për të gjithë ata njerëz që punojnë. Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo dyshojmë ne. Policia e Shtetit është partneri jonë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne, suksesi jonë është i lidhur me Policinë. Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë, veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH. Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S’duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore. Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera më të cilat bashkëpunojmë”, tha Braho.