
TIRANË- Për socialistët nuk ka asnjë shqetësim dhe krizë parlamentare, edhe pse seanca e sotme zgjati më pak se 5 minuta, dhe projektbuxheti i vitit të ardhshëm u votua pa diskutime në sallë. Kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi tha se opozita po iu mohon shqiptarëve, që të mësojnë për buxhetin më të madh që është kaluar në historinë e Shqipërisë, 7 miliardë euro.
“E pamë edhe sot e njëjta skemë, i njëjti peisazh, nuk kishte asgjë të re sa i takon sjelljes s tyre, Shqiptarët duhet të kenë parasysh që sot kaloi Buxheti më i madh në historinë e këtij vendi, dyfishi i buxhetit që ne kemi gjetur në vitin 2013. Sot duhet të flisnim me alternativa dhe jo me tymuese. Pamë të njëjtin skenar që shqiptarët nuk donin që ta shihnin. Janë 400 milionë euro plus për rritjen e pagave, janë tregues të jashtëzakonshëm për mirëqënien e shqiptarëve. Opozita nuk ka çuar asnjë kërkesë për informacion mbi udhëtimet e kryeministrit Edi Rama. Garda ka punën e vetë, duhet të garantojë një seancë normale, nuk e di si i ndan punët Garda, detyra jonë është që tiu japim shqiptarëve buxhetin historik, mbi 7 miliardë euro. Ne e kemi diskutuar në çdo komision, me të gjithë aktorët e interesit dhe institucionet e pavarura. Kështu do të vazhdojmë dhe nen për nen, nëse do vazhdojnë me tymuese, ne nuk do e lëmë Shqipërinë pa buxhet,”- u shpreh Çuçi.
Seanca e sotme në Kuvend zgjati më pak se 5 minuta, ku socialistët miratuan me shumicë votash të gjitha projektligjet e parashikuara, përfshirë edhe Buxhetin e vitit të ardhshëm./Zëri.ai