Politikë

Burgosja e Salianjit/ Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD, Berisha: Vendimi 'plumb' mbi opozitën

Mbledhja vjen dy ditë pas dënimit të deputetit Ervin Salianji për dosjen “Babale” nën akuzën e kallëzimit të rremë.

F.I
Burgosja e Salianjit/ Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD, Berisha:
Ervin Salianji

TIRANË-Pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji, Partia Demokratike ka mbledhur Këshillin Kombëtar. Mbledhja vjen dy ditë pas dënimit të deputetit Ervin Salianji për dosjen “Babale” nën akuzën e kallëzimit të rremë. Në nisje të mbledhjes, Edi Paloka tha se kanë dalë në një propozim konkret për mënyrën sesi do të vazhdojë aksioni opozitar, teksa më pas fjalën ia dha ish-kryeministrit Sali Berishës.

Sali Berisha: Sot mbledhje emergjente të lidhur me fatin e demokracisë, e pluralizmit, dhe sovranitetit kombëtar. Prej ditësh nuk është ajo që ishte. Pas 34 vitesh në Shqipëri është kthyer hija e zezë e narkodiktaturës që ka zëvendësuar shtetin ligjor me kodin e mafies. Dy ditë më parë një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, një politikan i ri, që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur poste, u dënua me burg, u burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij dhe të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve. Me burgosjen e Salianjit për denoncimin e tij guximtar, Rama nisi fushatën e hakmarrjes, terrorit ndaj opozitës dhe shqiptarëve. Në sytë e çdo shqiptari, ishin dëshmitar të triumfit në sallën e gjyqit, në sallën e parlamentit, nën rreshtimin me urdhër politik të të gjitha institucioneve të narkoshtetit dhe drejtësisë sorosiane, në përdorimin e vendimeve politike si plumba për opozitën duke burgosur një deputet, të ri politik të pafajshëm.

Më 6 tetor, Opozita ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste kombëtare. Përpos protestës pritet të diskutohet edhe qëndrimi i opozitës në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi njoftoi se PD do të ndërpresë marrëdhëniet institucionale me shumicën në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita e ka cilësuar vendim politik dënimin ndaj Salianjit, i cili tashmë ndodhet në burgun e Fierit, ku pritet të vuajë dënimin e caktuar nga Gjykata e Apelit.

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji mbërriti në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit, aty ku do të kryejë dënimin e konfirmuar nga Apeli me 1 vit heqje lirie për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. 

Gjykata e Apelit la më 26 shtator në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike. /ZËRI

Poll

MOS HUMB