
TIRANË- Seanca e sotme që zgjati vetëm 8 minuta, është komentuar në mënyrë të ndryshme nga PS dhe PD. Në një prononcim për mediet në përfundim të seancës plenare, deputeti Evin Salianji ka deklaruar nga oborri i Parlamentit se buxheti u miratua në mënyrë tinzare. Nga ana tjetër edhe kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Blendi Çuçi ka deklaruar se opozitës më tepër i intereson të bëjë zhurmë sesa të ofrojë zgjidhje. Për mediet në përfundim të seancës, Çuçi tha se buxheti për vitin 2024 “nuk është miratuar nga mazhoranca në 8 minuta, por pas një diskutimi shumë të gjatë.” Insistimit të gazetarëve se e kanë bërë diskutimin me veten, Çuçi iu përgjigj duke thënë se diskutimi janë kryer në mbledhje të hapura të Komisioneve dhe diskutime me shoqërinë civile. Sa i përket opozitës, socialisti e pranoi se me sjelljen e saj ajo ka krijuar një anomali në mbarëvajtjen e jetës parlamentare, megjithatë shtoi se “nuk i marrim dot me zor”.
PJESË nga prononcimi i Çuçit:
Bledi Çuçi: Unë mendoj se përveç kësaj kemi marrë në konsideratë edhe ligjet për funksionimin e Komisioneve. Për ne është shumë e rëndësishme, po shikojmë se çfarë kemi bërë. Kemi propozuar disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit dhe kemi marrë në shqyrtim disa rregullore parlamentare të vendeve të BE, kryesisht Italia dhe Gjermania. Opozita është e mirëseardhur. Kemi shumë forume që jemi jashtë. Ne kemi Komisione, sekretariate, seanca plenare, ata nuk vijnë. Ne jemi gati të dialogojmë me këto për të mirën e shqiptarëve, për gjëra që i shërbejnë shqiptarëve. Nuk jemi ne që ndezim flakadanë. Dialogu është gjithmonë i dobishëm. E para e punës grupi parlamentar i PS, jemi në komunikim të vazhdueshëm, nuk shoh trysni nga ndërkombëtarët. Fare! Të dy palët janë shumë të qarta në pozicionet e tyre.
A mund të kemi reformë Zgjedhore në këtë situatë?
Bledi Çuçi: Mos më pyesni mua se nuk është PS...nuk i marrim dot me dhunë që t'i ulim në tavolinë. Kriza që ka ndodhur në PD është shumë e thellë, nuk jemi ne shkaktarët por ju lutem mos prisni që të jemi instrumenti që të zgjidhim krizën. Rregullorja përcakton rregullar për të marrë masa për atë që prish seancën. Ne jemi sjellë shumë tolerantë megjithë sjelljeve vandale. E keni parë në parlamentin italian si e nxjerrin Sgarbin prej duarsh e këmbësh. E dini sa e ka përjashtimin Italia? 15 seanca plenare.
Keni propozuar ndryshime ligjore për Komisionet hetimore parlamentare, një fajtor a përcakton mënyrën sesi mund të hetohet?
Bledi Çuçi: Ti na bëre fajtor. Ç'ishte kjo pyetje? Ndryshimet që kemi paraqitur përfshijmë argumentat e dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Kryesisht kemi marrë rregulloren e Parlamentit Gjerman, sa kam lexuar propozimet e kolegëve të opozitës, aty janë edhe propozimet e tyre. Besoj se kjo është një çështje që e trajtojnë edhe vende të tjera, nuk ka asgjë të keqe këtu. Janë që parlamenti mbasi ka ezauruar të gjitha rrugët e veta, mund t'i drejtohet me një kërkesë opozita për një Komision hetimor. Nuk ka asnjë arsye që këto të kthehen në mjete për të denigruar persona. Është shumë e qartë dhe do të jetë shumë e qartë. E gjitha kjo në mënyrë që të jemi sa më konkret. Ky nuk është më debat dhe nuk është shumë e qartë.
Një fjalë para mediave e mbajti edhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili deklaroi se pr/buxheti për vitin 2024 godet shtresat e mesme. Madje nuk u kursye edhe në akuzat ndaj opozitës.
"Edi Rama në mënyrë të përsëritur i ka vendosur flakën, parlamentit të Shqipërisë. Po funksionojnë në kushtet e një junte, ku forca fizike e gardistëve, e drejtuesve të Policisë, e krimit në zgjedhje bëjnë të mundur mbajtjen në këmbë të kësaj ngrehine që duket qartësisht se nuk po bashkëjeton në mënyrë demokratike, sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në mënyrë tinëzare dhe me vrap, PS votoi buxhetin i cili për herë të parë godet shtresën e mesme, godet më të rëndësishme për qytetarët në një demokraci, taksim 21% të profesioneve të lira... E patë dhe sot që kishte amendime nga deputetë të PD dhe u hodhën poshtë për 2 sekonda. Ne po bëjmë betejë për qytetarët. Nuk po lëmë që vendi të shkojë në regjim të plotë... Kush do që ne të bëhemi palaçot e Edi Ramës, ne nuk bëhemi dot. Kushdo që merr përsipër të bëhet palaço për ndonjë arsye tjetër, që mund të jenë arsye financiare apo të ndonjë përfitimi të drejtpërdrejtë, është i denjë për ta bërë. Për të gjithë ata që hedhin broçkulla të tipit “po të ishit ju, çfarë do të ndodhte”, ja ku kishte mendime dhe i hodhën për dy sekonda se nuk pyet për Kushtetutë. Ne nuk po bëjmë betejë përveçse për mijëra njerëz që kanë miratuar këtë Kushtetutës. Nuk po lëmë që vendi të shkojë në një regjim të plotë,"-tha Salianji në fjalën e tij.
Çfarë ndodhi sot në Kuvend?
Edhe kjo seancë kaloi me tensione në sallën e Kuvendit. Ende pa nisur mirë, deputetët e opozitës u përplasën me Gardën e Republikës, e cila ishte vendosur në gatishmëri. Megjithatë përplasje kishte sërish, pasi Garda nuk i la opozitarët që të krijonin "malin" me karrige tek Foltorja e Kuvendit. Situata në sallë u përshkallëzua me ardhjen e kryeministrit Edi Rama, moment në të cilin opozita ndezi flakadanët. Por megjithatë gjithçka kaloi shpejt pasi sot seanca u mbyll për vetëm 8 minuta./ZËRI