
TIRANË- Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, u diskutua në lidhje me buxhetin 2025. Rendi i ditës parashikonte dëgjesën e Gjykatës Kushtetuese, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit dhe Presidenca. Për Gjykatën Kushtetuese, në mbledhje mori pjesë sekretari i institucionit, Eugen Papandile. Në fjalën e tij, ai kërkoi një shtesë buxheti për paga për shkak se Gjykata Kushtetuese ishte hasur me një volum të shtuar punësh, ndaj edhe i duhej staf shtesë. Në këto kushte, Papandile kërkoi nga Komisioni i Çështjeve Ligjore që të shtohej fondi për shpenzime operative dhe mbingarkesën e ankimimeve me 15 mln lekë të reja.
“Gjykata Kushtetuese ka nevojë për një pavarësi të plotë, jo vetëm në vendime juridike, por edhe në burime financiare, për të shmangur çdo ndikim të jashtëm nga pushtete të tjera. Duam të sjellim në vëmendje disa kërkesa që kanë të bëjnë me fondin e pagave dhe sigurimeve dhe me shpenzimet operative. Fondet e akorduara për 2025 tek shpenzimet e personelit, janë në shumën e 192 mln lekë. Referuar statistikave të 5 viteve të fundit, numri i çështjeve në gjykatën kushtetuese nga 50 në 2019, këtë vit parashikohet në 450 të tilla. Kemi vendosur për krijimin e Drejtorisë së kërkimeve, studimeve dhe botimeve me një përbërje prej 5 punonjësish. Kjo na lehtëson punën studimore dhe kërkimore, pa ngarkuar gjyqtarët dhe këshilltarët duke qenë se edhe numri i ankimeve është rritur. Kërkesë për tna mundësuar ngritjen dhe funksionimin e kësaj drejtorie. Gjatë këtij kryesimi në Shqipëri do të ketë organizime të ndryshme dhe për këtë shkak duhen fonde shtesë që nuk janë parashikuar nga ministria e financave. Kërkojmë shtesë në vlerën totale 14 mln e 957 mijë lekë,"-tha ndër të tjera Papandile.
Ndërkohë që Papandile kërkoi shtesë në buxhet, ndërhyri deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, i cili propozoi që Kushtetuesja të kërkonte ndryshime ligjore dhe jo para nga buxheti.
“A kemi sot një Gjykatë Kushtetuese të pavarur? Gjykimi im është se kemi një gjykatë nën presion politik dhe nën kërcënimin e politikës. Kohët e fundit nuk janë zbatuar vendimet e Kushtetueses. A keni një mekanizëm si veprohet kur nuk zbatohen vendimet e saj? A ka pasur kërcënime të drejtpërdrejta nga politika në lidhje me vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese? Fakti që ju kërkoni para do të thotë që ju jeni të varur nga Kuvendi. A në plan Gjykata Kushtetuese të kërkojë ndryshime në Kushtetutë që të ketë një fond të pavarur?,”- tha Dogjani mes të tjerash.
Në fjalën e Papandiles ndërhyri edhe deputetja tjetër e PD, Lindita Metaliaj, e cila shprehu kritikat e saj për rrëzimin e padisë së opozitës për të shfuqizuar marrëveshjen e emigrantëve Shqipëri-Itali.
Pjesë nga debati:
Lindita Metaliaj: Po marr shkas nga diskutimi për buxhetin për të ngritur shqetësimin për protokollin Rama-Meloni. Meqë jam përfaqësuese e Lezhës, për situatën në kampet Gjadër dhe Shëngjin, kujtoj se fal edhe vendimit tuaj 5 me 4, në Gjykatën Kushtetuese, për padinë e bërë nga Partia Demokratike, duke e rrëzuar, tregon se PD kishte prova të forta, vendimi i sforcuar e tregon këtë. Pasi shkelet kushtetuta dhe ligjet, konventat evropiane, statusi i refugjatit etj. Kjo marrveshje jo vetëm po vijon, por shikojmë anije që vijnë dhe kthehen pas. Fal asaj marrëveshje që votuat 5 me 4, që ishte e paligjshme, treguat se nuk u ngritët në krye të detyrës tuaj.
Klotilda Bushka: Ju po komentonin vendimet e gjykatës, ndërkohë që duhet t’i respektoni. Jemi për buxhetin, bëni pyetje për buxhetin. Mos përdorni këtë mbledhje, respektoni gjykatën dhe vendimmarrjen...
Lindita Metaliaj: Gjykata Kushtetuese dhe administrata paguhen nga ky buxhet dhe nëse duan ta marrin votën këtu, dua ta ngre shqetësimin se jam përfaqësuese e Lezhës, sepse Gjadri dhe Shëngjini janë kthyer në kamp refugjatësh, një burg. Kushtetuesja duhet të ngrihet në nivelin e gjykatave europiane, si Katanias, Romës, Britanisë dhe t’i kërkonte mendim Komisionit të Venecias. Më e pakta ishte kjo. Shohim anije që vijnë në Shëngjin i sjellin ata fatkeq dhe i kthejnë përsëri si pasojë e asaj marrëveshjeje antikombëtare Mekloni-Rama. Të paktën Kushtetuesja duhet të ngrihej në nivelin e kushtetueshmërisë dhe ta rrëzonte, ose të merrte shembull Britaninë dhe gjykatat italiane. Ose t’i drejtohej Venecias.
Asllan Dogjani: Marrëveshja është antikushtetuese, Gjykata duhet të bënte detyrën. Kjo është e papranueshme!
Klotilda Bushka: Zoti Papandile, mund të largoheni, dëgjesa mbyllet këtu./ZËRI