
TIRANË- Një incident ka ndodhur në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Teksa në mbledhje kishte nisur diskutimi për buxhetin e vitit 2024, anëtari i Këshillit Bashkiak, Tedi Blushi është çuar në këmbë dhe i është afruar vendit ku qëndron kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Siç duket edhe nga pamjet, këshilltari i dalë nga radhët e Partisë së Lirisë ka nxjerrë nga xhepi një palë pranga dhe pasi ia ka tundur para Veliajt, ia ka lënë mbi tryezë dhe më pas është larguar.
Romina Kuko: Zoti Blushi ju lutem. Zoti Blushi iu tërheq vëmendjen. Sipas rregullores iu tërheq vëmendjen. Zoti Blushi! Ju ftoj të lini sallën e Këshillit Bashkiak. Ju kërkoj të lini sallën. Pezullohet mbledhja 5 minuta. Zoti Blushi do detyrohem të thërras Policinë Bashkiake.
Erion Veliaj: Nuk është koha për cirqe. Kam përshtypjen se prangat po i afrohen dikujt te ajo zyra (te zyra e PL-së) prandaj. I keni speciale për Ilirin, i keni me gëzof.
View this post on Instagram
Edhe pse është paralajmëruar disa herë nga drejtuesja e seancës, Romina Kuko, sërish nuk ka bërë hapa pas. Ndaj dhe Kuko ka kërkuar që efektivët e Policisë bashkiake të nxirrnin jashtë forcërisht Blushin. Ndërkohë që mbledhja është pezulluar duke mos e përfunduar diskutimin e nisur për buxhetin e vitit 2024.
Pas përfundimit të mbledhjes, Blushi ka shkruar në rrjetet e tij sociale: I dhurova sot Erjon Veliaj një palë pranga në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Prangat janë drejtësia për aferën e inceneratorit inekzistent të Tiranës dhe për qindra milionë euro të vjedhura përmes kësaj skeme kriminale. Prangat janë simboli i ndëshkimit për keqmenaxhimin dhe vjedhjen e taksave tona në këto vite. Prangat janë ndëshkimi për betonizimin dhe shkatërrimin e Tiranës. Prangat janë shpagimi për shtëpitë e shembura në shkelje të ligjit, për gjobat e padrejta, për braktisjen dhe lënien në harresë të qytetarëve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara. Prangat janë simboli i drejtësisë, me paanësi dhe jo me regji!
Veprimi ka ardhur si pasojë e akuzave të njëpasnjëshme që Partia e Lirisë ka bërë publikisht në drejtim të kryebashkiakut Veliaj. Në çdo dalje publike, si kreu i PL-së, Ilir Meta, ashtu edhe Monika Kryemadhi kanë akuzuar kryebashkiakun Veliaj se ka gisht në aferën e inceneratorit të Tiranës. Pretendimet e ngritura ndaj tij, Veliaj i ka rrëzuar gjithmonë, teksa thekson se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI