
TIRANË-Në seancën e parë pas rikthimit të paqes në Kuvend, diskutimi më i rëndësishëm ishte ai i aktit normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, ku vendimi më i rëndësishëm është ai i financimit të Portit të ri tregtar në Durrës me buxhetin e shtetit. Ky vendim nuk ka kaluar pa debate mes deputetëve të opozitës dhe qeverisë.
Opozita kundërshtoi që të futej me procedurë të përshpejtuar projektligji për portin e Durrësit. Për opozitën Qeveria duhet të japë llogari se pse gënjeu kur tha se asnjë lek nuk do të jepej nga buxheti i shtetit. Në fjalën e tij, Enkelejd Alibeaj u shpreh se kushton 2 miliard e 100 milionë euro dhe kërkoi të mos miratohej me shpejtësi në parlament pa u bërë transparencë për nenent. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se PD duhet të vendosë që të mos i shkojë mbrapa Sali Berishës. Për opozitën Qeveria duhet të japë llogari se pse gënjeu kur tha se asnjë lek nuk do të jepej nga buxheti i shtetit.
“A keni thënë që nuk do të jepnit asnjë lek për portin që iu dha një privati. Kjo është pyetja. Sot duhet të mbani përgjegjësi për fondet publike nga buxheti i shtetit, nga taksat e rritura, që po shkojnë për portin e Durrësit që e ka marrë privati?”- tha Tabaku.
“400 milionë dollar për një port I cili nëse nuk do të kishte bërë kontratën hiperkorruptive, antikushtetuese; që ia dha një kompanie private; porti i Durrësit nuk kishte nevojë të ndryshonte vend dhe nuk kishte nevoje me një akt normative qeveria tu grabisë qytetarëve 400 milionë dollar për vetëm 3 vitet e para, faza e parë. Të gjitha vlerësimit shkojnë nga .2 miliardë në 1.7 miliardë, ndoshta shkon dhe 2 miliardë porti I ri. Ndërkohë që në kemi një port i cili ekziston prej më shumë se 2700 vjetësh aty. Është porti që ka krijuar qytetin”, tha Bylykbashi.
Deputeti socoialist Erion Braçe iu përgjigj akuzave të Rithemelimit nga foltorja e Kuvendit, lidhur me Portin e Durrësit. Sipas tij në kohën e qeverisjes së Berishës, porti shfrytëzohej nga një firmë koncesionare qesharake që nuk paguante rrogat e punonjësve.
“'Prisja të flisnim për buxhetin. Por për cilin port flisni? Për Portin e Durrësit i cili në 90% ishte dhënë me koncesion,. Dhe qeveria merrte një firmë qesharake që nuk paguante as rrogat e atyre që punonin aty. Për portin ku shërbimet ishin koncesionuar mbi 90% sipas KLSH. Për këtë flisni? Për atë port që nuk shtrinte krahun e vinçit sepse binte mbi hotelin në krah. Çfarë po kërkojmë, apo çfarë akuzoni: që po ndërtojmë një port publik shtetëror me para publike, që rrit jo vetëm pasurinë por ofron shërbime më të gjëra. E për të konkurruar ato porte. Në cilët interesa flitet këtu? Po ndërtojmë një Port publik, shtetëror me para publike. Ne kemi rënë dakord që të bëhet baza e NATO-s.. Apo do thoni pastaj si në Kuçovë se nuk na dhatë as karrige atje në bazën e NATO-s. Prapë për këtë do të flisni. Unë nuk kam besim që do të zgjidhet problemi i evazionit gjigand që është në sektorin e turizmit. Do të duhet një skemë tjetër. Të rrisim subvencionin gjithëpërfshirës për bujqit dhe blegtorët. Paratë janë duhet ta bëjmë këtë gjë. Është themelore nëse ne duam të marrim diçka nga turizmi. Duhet reformë e plotë e pensioneve, plakja e popullsisë, evazioni fiskal. Duhet reformë. Nuk mund të vazhdojmë më me premtime. Zgjidh padrejtësitë që janë bërë me reformat e pensioneve”- u shpreh Braçe.
"Sot në Portin e Porto Romanos do të jetë një bazë e NATO-s dhe duhet të investojë shteti shqiptar për të mbajtur pronësinë e atij aseti. Është një vendim strategjik së bashku me partnerët. Ka pasur një vendim për këtë projekt në selinë e NATO-s. Nuk mund të japim një port që do të shërbejë edhe për arsye tregtare për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e veriut duke pasur aty edhe një aset kombëtar në kuadër të aleancës”- tha ministrja Balluku.
Zhvendosja e portit të Durrësit në zonën e Porto Romanos dhe veçanërisht marrëveshja për ndërtimin e portit të jahteve nga investitori Muhamed Alabar prej vitesh është në qendër të aksionit të opozitës. Për më tepër opozita marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe investitorit Alabar e ka goditur edhe në SPAK dhe në Gjykatën Kushtetuese./ZËRI