TIRANË-Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është zhvilluar mes debateve dhe akuzave mes dy palëve. Opozita kërkoi përsëritjen e seancës së 12 shtatorit ku si asnjëherë më parë, plani i qeverisë u miratua në 25 minuta seancë pas u zhvilluar debat.
Ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili me deklaratën e tij 'ndezi' diskutimet, ku kërkoi thirrjen urgjente të Këshillit të Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Po ashtu Bardhi ka kundërshtuar ndryshimet e bëra nga mazhoranca në rregulloren e Kuvendit lidhur me raportimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Edhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka kundërshtuar sistemin e ri të komisioneve parlamentare, të cilat sipas saj janë hartuar në komisione parësore dhe në dytësore.
Gazment Bardhi: Ju sjell në vëmendje se keni detyrim të thërrisni Këshillin e Legjislacionit për kërkesën e PD-së për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit. Thirrja e Këshillit është detyrim që ju duhet ta respektoni. Kemi sjellë edhe një kërkesë për ripërsëritjen e seancës së 12 shtatorit. Kalimi pa debat, kemi arsyetuar se është në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores. Ju duhet ta përfshini atë kërkesë. Çështja e 3-të. Ne kemi dorëzuar një kërkesë për Mocion me Debat mbi programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Në bazë të Rregullores do duhej që ky mocion me debat të ishte përfshirë në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve. Sot skadon dita e 3-të e afatit siç e parashikon Rregullorja dhe deri tani ne nuk kemi njoftim për mbledhje tjetër. E gjej pa vend dhe në shkelje të Rregullores parashikimin që çështje të ndryshme apo raporte të institucioneve Kushtetuese të kalojnë në dy komisione. Kjo është e pa vend, pasi nuk mund të raportohet në dy komisione. Nuk ka kuptim fjala vjen që Prokurori i Përgjithshëm të raportojë në dy komisione e pastaj edhe në Kuvend. I bie të ketë duble raport për një çështje apo për një institucion. Ju keni bërë ndryshime në disa nene të Rregullores, por keni harruar nenin që e rregullon këtë çështje.
Jorida Tabaku: Raporti i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk dihet, të kalojë tek Komisioni i Ligjeve. Komision përgjegjës për këto çështje është komsioni i ri, ai i për të Drejtat e Njeriut. Nuk mund të ketë komsione kryesore dhe komisione të dorës së dytë. Po shkelni bazën e Rregullores që vetë e keni ndryshuar dhe vetë e keni miratuar.
Agron Gjekmarkaj: Pavarësisht se vini nga zgjedhjet farse, Kuvendi e ka zgjedhur një kryetar dhe nuk është e nevojshme të zgjedhim një kryetar tjetër për të kontrolluar kryetarin. Nuk doja te flisja, por Balla si letrat ka krijuar një të vërtetë të tij, duke folur për arritje. Në fakt dje doli një raport i DASH-it. Kuvendi duhet të krijojë hapësirë të flitet për ato çështje themelore që janë ngritur në atë raport. Krim, korrupsion, një realitet i nxirë. Por ju po i ikni të vërtetës duke krijuar realitet fals. I ikët edhe përgjegjësisë për të folur për qeverinë tuaj pasi ju i trembeni transparencës.
Ndërkohë për seancën që kërkon opozita përsëritje, Peleshi tha se pritet të mblidhet Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën.
Niko Peleshi: Mos përdorni më fjalën tallje apo ndonjë fjalë që nuk i shkon këtij formati. Ke dëgjuar që tallemi? Mbase kemi fjalore të ndryshme. S'çohet njeri këtu për të ardhur dhe për tu tallur me të tjerët. Z. Bardhi, ju dëgjova deri në fund. Së pari të mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Do kemi shumë projektligje. Duhet të jemi të vetëdijshëm që puna do jetë e madhe. Me kërkesën tonë janë sjellë projekligje të reja apo të mbartura që ne i kishim rikthyer aty. Duhet të ribëhen nga deputetët në fillim të legjislaturës. Përmendët rregulloren por mendoj se e citoni gabim. Z. Bardhi, unë prap nuk po them që ju po talleni edhe pse ju po qeshni.
Gazment Bardhi: Më fal.
Niko Peleshi: Nuk jemi duke konsumuar shkelje të rregullores. Sa i përket mocionit për kryetarin e kuvendit, brenda javës mblidhet këshilli i legjislscionit. Për seancën qe doni përsëritje, ja kam kaluar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.