Politikë

DEBATE tek "Shëndetësia"/ Opozita akuzon për konflikt interesi, PS bojkoton!

Në vijim të mbledhjes kryetarja Albana Vokshi dhe nënkryetari Plarent Ndreca patën një debat me tone të ashpra që çuan deri në largimin e socialistëve nga mbledhja.

f.t
DEBATE tek "Shëndetësia"/ Opozita akuzon për konflikt
PAMJE NGA MBLEDHJA

TIRANË-Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Checkup dhe Sterilizimin zgjati për rreth tre orë e gjysëm dhe debatet nuk munguan. Demokratët kanë akuzuar socialistët për konflikt interesi, në rastin e deputetes Milva Ekonomi, e cila në cilësinë e drejtoreshës së FSDKSH ka nënshkruar kontratë me një prej kompanive koncesionare Saniservise. Ekonomi tha se FSDKSH nuk harton kontrata dhe s’ka qenë në procesin e përzgjedhjes së kompanive. Po ashtu ajo tha se në atë kohë nuk mbante mandatin e deputetes.

Pjesë nga debati:

Zhupa: A duhet që kryetarja të marrë në pyetje ata që dikur e kanë audituar, a ka një konflikt interesi? Nëse vendoset, të merret një vendim dhe për çështje kuorumi, nëse do të qëndrojë në mbledhje apo jo që edhe gjetjet, edhe pyetjet që nesër të mos ketë problematika si një material i ndotur në pikëpamje proceduriale. PD ka pyetur që më parë dhe në diskutimet që u bënë e lamë që rast pas rasti do të ngrihej ideja e konfliktit të interesit, në këtë raporte që do të marrim përsipër është edhe emri i Milva Ekonomi.

Ndreca: Më vjen keq që vazhdoni me idenë që mendoja se e kishit kaluar, zonja Konomi ka ushtruar një detyrë publike dhe KLSH, për rrjedhojë nuk ka asnjë konflikt interesi. Nuk kemi objekt kontrolli individë të caktuar por çështje të caktuara.

Vokshi: Jeni mësuar që të sfidoni ligjin, procedurat. Po vazhdoni që ta bëni dhe sot. Nuk di se çfarë mendimi kanë kolegët deputetë.

Ekonomi: Jam konsultuar me dokumentet ligjor që ka prodhuar Kuvendi. Kam qenë pjesë e Fondit, por pa qenë me mandat deputeti. Kam marrë mandat në vitin 2017 dhe nuk kam konflikt interesi. Nuk kam firmosur kontratën. Kam firmosur kontratën e financimit, që nuk është e njëjta gjë. Nuk kam qenë në procesin e zgjedhjes që i është bërë kompanive.

Ndreca: Po i bëni gjyq.

Vokshi: S’po i bëj gjyq, e para mos më ngrini zërin. E saktësova, që ka firmosur për kontratën. Mos ndërhyni kur flas unë. Dua të kuptoj se kush janë…a ka mundësi që të flas unë dhe t’ua kaloj më pas fjalën. Ore uleni zërin.

Në vijim të mbledhjes kryetarja Albana Vokshi dhe nënkryetari Plarent Ndreca vijuan debatin me tone të ashpra që çuan deri në largimin e socialistëve nga mbledhja. Ndreca, pyeti audituesin e KLSH nëse ai kishte kualifikimet profesionale për auditime të tilla. 

DEBATET:

"Në dijeninë time ka standarde të caktuara për auditimin e koncensioneve. Pra, ju nuk keni një certifikatë profesionale në fushë  e auditimit, vetëm jeni punonjës i KLSH", tha Ndreca teksa audituesi tha se kishte mbaruar studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe punonte në Kontrollin e Lartë të Shtetit prej vitit 2005. Kjo shkaktoi debat. 

Vokshi: Nuk je këtu për të gjykuar çfarë formimi profesional të auditorit të KLSH-së. E gjykon punëdhënësi, jo ti.

Plarent Ndreca: Nuk gjykova por e pyeta për të krijuar bindjen time sa formim ka për të bërë kontrollin.

Albana Vokshi: Hajde flasim për vjedhje. Mos intimido dëshmitarët. 

Vokshi: Po përdor komisionin për të marrë hak për një raport

Ndreca: E turpshme

Vokshi: Ti paske siklet

Ndreca: Nuk kam asnjë siklet.

Vokshi: E paske hakmarrje të verbër për raportet e KLSH kërkon të sulmosh KLSH dhe raportet e tij. Po bën pyetje jashtë objektit të provës.

Ndreca: E ke shpallur veten prokurore

Vokshi: Je në konflikt interesi nuk duhet të jesh këtu.

Një ndërhyrje pati edhe nga deputeti Saimir Korreshi, i cili reagoi në lidhje me deklaratën e nënkryetarit të komisionit hetimor të “Shëndetësisë” Plarent Ndreca, i cili tha se komisioni nuk është gjykatë. Korreshi tha se komisioni në një farë mënyre është trupë gjykuese. Po ashtu ai shtoi se ky komision u ngrit me kërkesën e opozitës.

“Ky komision ka nisur sepse dyshojmë se i keni rruajtur lekët. Sa i përket paanshmërinë nuk mund ta paragjykosh ti. Jemi trupë gjykues këtu. Deri dje thonit jemi bashkëkryetar, sot nuk kemi ardhur këtu për të hetuar njerëzit”, tha Korreshi.

Ndreca ka “akuzuar” Vokshin se është në komision për të marrë aksione politike dhe jo për të organizuar punën e për të dëgjuar dëshmitarët. Debate pati edhe me deputetin e PS, Petro Koçi. 

Ndreca: Nuk mund ti bësh gjyq anëtares së komisionit

Vokshi: Mos e ngri zërin, Ekonomi mbrohet vetë. Jemi këtu për të hetuar.

Koçi: Hajde vazhdo aty.

Vokshi: Me etikë Koçi. Nuk i drejtohesh dot kryetares dhe asnjë kolegu në këtë mënyrë. Mos bërtisni, flisni me edukatë.

Ndreca: Ruani qetësinë. S’na tregon dot guximin ti. Ngritja e zërit është për shkak të uzurpimit që i bën mikrofonit. Kjo s’do të thotë të abuzosh me këtë dhe të flasësh ti gjysmë ore për çdo anëtar që flet.  Ke gjysmë ore që merresh me njërin prej anëtarëve. Nuk të marr leje se ku futem unë, prandaj i kemi ligjet për të ndarë se çfarë është e drejtë. S’ka asnjë deklaratë të dorëzuar në sekretari.

GJithashtu një përplasje pati edhe mes deputetit të PL-së Petrit Vasili dhe deputetit të PS-së Ilir Metaj, ku në një moment ka degraduar edhe në ofendime. Mes tyre janë shkëmbyer ofendime duke sharë njëri tjetrin deri dhe ‘langaraq”. Ndërkohë që Vasili fliste me mikrofon, Metaj fliste pa mikrofon.

Në rend të ditës ishin parashikuar dëshmitë e 5 audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të sqaruar rrethana të ndryshme, që lidhen me çështjen, por socialistët vendosën të braktisin sallën, ndërsa Vokshi vijoi mbledhjen në praninë vetëm të opozitarëve në minorancë, ndërsa transmetimi live i komisionit u ndërpre nga shërbimet e Kuvendit./ZËRI

Poll

MOS HUMB