Politikë

Dënimi i Belerit, Mitsotakis: Ka dëmtuar marrëdhëniet tona, presim apelin

Sipas mediave greke, Mitsotakis ka shfaqur një ton më të zbutur

E.K
Dënimi i Belerit, Mitsotakis: Ka dëmtuar marrëdhëniet tona,
Kryeministri grek

GREQI- Rasti ‘Beleri’ ka dëmtuar marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo është deklarata e ripërsëritur së fundi nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në një intervistë që ka dhënë ditën e djeshme për Ski TV. Megjithatë Mitsotakis është shprehur se do të presë vendimin e shkallëve të tjera të Gjykatës, pasi GJKKO e dënoi me 2 vite burg kryebashkiakun e zgjedhur yë Himarës.

“Ne kemi shprehur rezervat tona të forta për faktin se ai nuk u lejua të betohet gjatë kohës që ishte në paraburgim dhe nëse ishte një proces i drejtë. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim që nuk ka asnjë vendim përfundimtar, por një vendim të shkallës së parë”, tha Mitsotakis, ndërsa konfirmoi dhe ngërçin në politikën e jashtme mes dy vendeve tona.

“Mënyra se si Shqipëria e ka trajtuar këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Greqinë dhe kjo nuk është diçka që ne duam”, shtoi Mitsotakis, duke nënvizuar se ai ende shpreson se “kjo çështje do të zgjidhet”.

Ndërkohë gazeta greke Kathimerini shkruan se “Mitsotakis në thelb la të kuptohet se Athina pret një gjest vullneti të mirë nga pala shqiptare edhe në shkallën e dytë, pasi gjykata antikorrupsion do të duhet të vendosë për apelimin e vendimit të shkallës së parë nga Beleri”.

“Toni disi i butë i përdorur nga Mitsotakis u pa se ishte për shkak të taktikave agresive të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili pak ditë më parë denoncoi tentativat e pretenduara nga jashtë për të ndikuar në drejtësinë shqiptare”, shkruan gazeta greke.

Vetë kryeministri Edi Rama tha pak ditë më parë nga Shkodra se ai do të presë vendimin e Apelit për Belerin, dhe nuk do të shpallë zgjedhjet në Himarë, pa thënë fjalët e fundit të gjitha shkallët e drejtësisë. GJKKO e dënoi pak ditë më parë Belerin, për korrupsion zgjedhor, ndërkohë që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës pretendon pafajësinë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB