Politikë

Çfarë fitoi dhe çfarë humbi Rithemelimi, si u lexua marrëveshja me socialistët

Çfarë fitoi Rithemelimi nga marrëveshja me PS? A cënojnë këto negociata kredibilitetin e opozitës? Andi Bushati e cilëson mëkatin më të madh, e për ironi të fatit në të njëjtën ditë 21 Janari rëndon mbi kokën e Berishës

E.K
Çfarë fitoi dhe çfarë humbi Rithemelimi, si u lexua
Marreveshja e Rithemelimit

TIRANË- Marrëveshja e arritur ditën e djeshme në Kuvend, mes grupit të Rithemelimit dhe Socialistëve, duket se ka krijuar një çarje të re në radhët e opozitës, dhe shije të hidhur që këto negociata kanë lënë në publik. Përplasjet e para kanë nisur brenda vetë grupit parlamentar të PD-së, ku Ervin Salianji është treguar më kritiku, në drejtim të Gazment Bardhit, dhe duke kujtuar se opozita nuk po merrte asgjë, përveç një të drejte që ja njeh edhe vetë Kushtetuta. Ndërkohë pjesa e deputetëve partizanë të Rithemelimit, që janë rreshtuar që në krye të herës në krahë të Sali Berishës, merakun e tyre të vetëm kishin nëse vendimi i Bardhit ishte konsultuar apo jo me ish-kryeministrin.

Pas garantimit të Bardhit, se për marrëveshjen me socialistët kishte marrë edhe aprovimin e Berishës, shumica e zërave brenda partisë filluan të shuheshin, por jo në rrethin e analistëve dhe njohësve të politikës. Shumë e lexuan këtë marrëveshje si një përpjekje e grupit Berisha-Bardhi për t’u njohur si shumicë dhe për të lënë mënjanë Lulzim Bashën, por a sjell kjo një fitore për opozitarizmin? A mund të jetë alternativë qeverisëse një opozitë që gëzon se njihet si e tillë nga kundërshtari politik?

Një prej analistëve që ka qenë më kritikë në drejtim të marrëveshjes së Bardhit, ka qenë Andi Bushati, i cili e ka konsideruar këtë një shitje me vulë të opozitës në këtë vend. Teksa i referohet marrëveshjes, Bushati shprehet se ajo është bërë në kurriz të të gjitha kërkesave të opozitës, pasi janë pranuar vetëm dy komisione hetimore, nga të cilat asnjëri nuk prek interesat e kryeministrit Edi Rama. Bushati vijon më tej arsyetimin e tij, duke thënë se marrëveshja është bërë në pozita tejet të barabarta.

“Por, po të ndalosh për një moment këtu e kupton se që në premisë negocimi u krye në pozita të pa barabarta. Sepse të bësh një marëveshje nënkupton që secila palë të lëshojë diçka nga vetja, për hir të kompromisit. Por në rastin konkret PD dhe PS u ulën në pozicione, ku e para edhe nëse merrte maksimumin, fitonte vetëm atë që i takonte dhe e dyta, qoftë edhe nëse lëshonte gjithçka, nuk jepte asgjë nga vetja. Pikërisht për këtë opozita ishte e dënuaër që mos bënte pazar të tipit: na jepni këtë që tu falim këtë tjetrën. Ajo ishte e dënuar të kishte tre vija të kuqe, të panegociueshme: njohjen si palë në reformën zgjedhore, ngritjen e të teta komisioneve hetimore dhe funksionimin e tyre sipas ligjit të pa ndryshuar”, shkruan mes të tjerave Bushati në analizën e tij, ndërsa shton se e gjitha kjo është bërë në këmbim të heshtjes dhe mbylljes së gojës për disa prej aferave më të mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë.

“Çfarë duhet vula nëse atë e fiton në këmbim të heshtjes për bredhjet e Ramës me çarter? Përse vlen njohja de facto e kryetarit non grata, nëse ajo bëhet në dëm të transparencës për investimet strategjike?

Ç’kuptim ka legalizimi zyrtar i shumicës opozitare, nëse kjo shumice nuk kërkon llogari për mbi 100 milionët e fluturuara të Bechettit? Ç’fitore quhet të nxjerrësh nga loja një kalë të ngordhur si Basha, kur bën paqe me faktin se s’do thërresësh të deponojnë para deputetëve, Ramën, Duçkën, Agron Nezën?’, shkruan më tej analisti.

Për ironi të fatit, apo për kalkulimet e fshehta politikë-gjyqësor, një vendim i Gjykatës së Lartë trondit më tej pozitat e Rithemelimit. Me dërgimin e 21 Janarit për hetim në SPAK, Prokurorinë e Posaçme nuk e ndal asgjë që të mund të marr në pyetje Sali Berishën apo Lulzim Bashën, që asokohe kanë qenë në pozitat e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Ndër të parët që ka bërë lidhjen mes dy lëvizjeve ka qenë gazetari Artan Hoxha. Duke iu referuar përçarjes mes Berishës dhe Bashës, Hoxha shkruan se ky i fundit mund të ketë mundësinë që të tregojë të vërtetën e tij npër 21 Janarin, ku mbetën të vrarë 4 protestues.

“Berisha është pa imunitet tani që flasim, atë mund ta thërrasë SPAK-u dhe Dumani në çdo kohë. Madje Lulzim Basha ka shumë në dorë për t’i bërë dëm Berishës nëse shkon e dëshmon të vërtetën kundër tij. Nuk e di sa ‘këllqe’ do ketë zoti Basha për ta bërë këtë gjë, por në dorë e ka në këtë moment”, shkruan Hoxha në një postim në rrjetet sociale.

Një tjetër kritik i kahershëm i Berishës, Mero Baze, shkruan se ka ardhur koha që drejtësia e re të flasë për rolin e ish-kryeministrit në 21 Janar.

“Sali Berisha është mbyllur sot majë penxheres për një krim që buron nga përdorimi i pushtetit të tij për të pasuruar vajzën në një aferë korruptive, por do të jetë e padrejtë që ai të shkojë në botën tjetër me këtë dënim, i cili ngjan si gjyqi për kafetë e Nexhmije Hoxhës para krimit të vërtetë real që ai ka bërë në politikën shqiptare, që është vrasja e qytetarëve për motive politike. 

Me 21 janarin Sali Berisha ka dëshmuar mospranimin e rendit demokratik prej tij si politikan, mospranimin e protestës dhe opozitës si koncept dhe mbi të gjitha, mospranimin e gjykimit si kriminel kur është kapur me fakte në mes të ditës. 

Për gjithë këto arsye dhe të tjera, ai dhe familja e tij janë shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, por drejtësia shqiptare ende nguron të thotë fjalën e saj.

Sot është bërë një hap i vogël në rikthimin e këtij shansi. Derisa ditën që drejtësia të shqiptojë ndëshkimin e tij si fajtor për këtë krim, ende nuk mund të themi se drejtësia e re është rikthyer në Shqipëri.

21 janari nuk është ndëshkim për Sali Berishën, por test për të prekur dhe ndjerë, se drejtësia e re ka ardhur”, shkruan mes të tjerave Baze në shkrimin e tij.

Por përtej zërave kritikë me opozitën që kanë qenë të shumtë, koha për Bardhin&CO nuk premton shumë. Me gjasë ata do të heqin dorë dhe nga ndryshimet e qënësishmë në ligjin për Reformën Zgjedhore, për shkak se komisionit të posaçëm i përfundon mandati, dhe së bashku me socialistët kanë rënë dakord që afati i tij të mos shtyhet. Me një lider nën arrest, me deputetë të përçarë, dhe me një bazë të nëpërkëmbur nga vitet e gjata në opozitë, a po shkon PD drejt një tjetër humbje në zgjedhjet e vitit të ardhshëm? Të gjitha gjasat thonë që po. E nëse Berisha do të merret i pandehur dhe për 21 Janarin, malorja për opozitën sa do të vijë dhe do të vështirësohet. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB