Politikë

Deputet për dy mandate, kush ishte Gerti Bogdani, politikani i ri që mbaroi shkollën me medalje ari

Gerti Bogdani ishte i martuar me aktivisten Edlira Çepani, dhe ishte babai i Ajrës dhe Reinartit

E.K
Deputet për dy mandate, kush ishte Gerti Bogdani, politikani i ri që
GERTI BOGDANI

TIRANË- Ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare Gerti Bogdani, politikan dhe ish-deputet i Partisë Demokratike për dy mandate. Bogdani ka qenë deputet në një moshë fare të re, për dy legjislatura, ndërsa në vitin 2023 ishte pjesë e garës së primareve për të kandiduar nga radhët e PD-së për Bashkinë e Tiranës.

Bogdani ka qenë një prej politikanëve ‘rebelë’ në radhët e Partisë Demokratike, ku nuk e ka kuryser mendimin e tij kundër edhe përballë kryetarëve të Partisë. Pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2017, ai ishte një prej demokratëve të parë që kërkoi dorëheqjen e Lulzim Bashës.

Bogdani nuk i kurseu kritikat dhe në drejtim të Berishës, vitin e kaluar, përpara zgjedhjeve lokale, ku ai u bë pjesë e primareve për Bashkinë e Tiranës. Bogdani do të shprehej asokohe se çdo vonesë në nisjen e fushatës dhe zbritjen e kandidatëve në terren, do të sillte vonesa në rezultatin e PD-së.

“Duhet t’i japë drejtim, duhet t’i japë zgjidhje, duhet t’i japë vizion, alternativë dhe kanalizim gjithë kësaj energjie që kemi. Në këtë moment nuk e kemi një gjë të tillë. Procese të tilla, nëse bëhen të sakta dhe ashtu si duhet, i japin forcë një partie që nuk është e shëndetshme. Janë procese që shërbejnë edhe në momente të vështira të një force politike. Por gjithmonë kur bëhen saktë dhe ashtu si duhen”, deklaronte Bogdani pak kohë përpara zgjedhjeve lokale te vitit të kaluar.

KUSH ISHTE BOGDANI

Gerti Bogdani, është lindur dhe rritur në Tiranë. Ai vjen nga dy familje autoktone tiranase Bogdani dhe Bërxolli. Pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, Gerti Bogdani vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Neë York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Aëard – ‘Medalje Ari’ në degën e Shkencave Kompjuterike. Pas rikthimit në Shqipëri, e nisi karrierën e tij profesionale në fushën akademike si Pedagog në Universitetin e Neë Yorkut –Tiranë.

Gjatë viteve të studimeve, si përfaqësues i shkollës “Harry Fultz”, Bogdani ka qenë pjesëmarrës dhe fitues i një sërë turnamentesh rajonale dhe kombëtare të programit të debatit, e të aktiviteteve të tjera në rang kombëtar, si edhe pjesë e ekipit fitues të disa trofeve e kampionateve të basketbollit mes shkollave të mesme të Tiranës. Ai është angazhuar në Këshillin Rinor Shqiptar në një sërë aktivitetesh si edhe për krijimin e Rrjetit të Qeverive të Nxënësve – sot, Parlamenti Rinor, dhe është gjithashtu një nga themeluesit e Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë – AS@N, me aktivitet dhe qëllim kryesor rikthimin në Shqipëri të studentëve të diplomuar jashtë vendit.

ANGAZHIMI NË POLITIKË

Në vitin 2005, Bogdani pranoi ftesën për t’u angazhuar në politikë shtyrë nga thirrja e brendshme qytetare për të kontribuar për vendin. Në vitin 2007 fillon detyrën si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, të cilën e kryen me sukses deri në vitin 2019, duke zgjeruar ndjeshëm rrjetin ndërkombëtar në mbështetje, jo vetëm të Partisë Demokratike, por sidomos të Shqipërisë – që nga Kongresi e Senati Amerikan, Parlamenti Europian e Bundestagu Gjerman, veçanërisht në raste të votimeve të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën.

Në këtë detyrë ai ka arritur me sukses të mbështesë anëtarësimin e PD në Bashkimin Ndërkombëtar Demokrat – IDU, aplikimin e LDK-së për anëtarësimin në Partitë Popullore Europiane – EPP, si dhe ka kontribuar në anëtarësimin me të drejtë vote të Partisë Demokratike në EPP. Në vitin 2007 kandidon në Zgjedhjet Vendore, duke qenë i pari kandidat nga e djathta që bëhet kryetar i Minibashkisë nr. 10 në Tiranë dhe Kryebashkiaku më i ri i zgjedhur ndonjëherë, duke bërë për vete komunitetin dhe duke marrë mbështetjen e elektoratit të njësisë përtej ndryshimeve politike majtas apo djathtas.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë dy legjislaturave parlamentare 2009 – 2013 dhe 2013 – 2017 kontriboi në nisma ligjore me impakt për arsimin, mbështetjen sociale dhe të rinjtë. Gjatë dy mandateve parlamentare shërbeu në komisionin e Integrimit Europian & në komisionin e Medias, si dhe i përkushtohet problematikave të komunitetit autokton tiranas. Në 2009 Bogdani mori edhe detyrën e kryetarit të FRPD.

Pas 2 viteve në pozicionin e Zv.Presidentit, në vitin 2014 zgjidhet President i IYDU – Bashkimi Rinor Ndërkombëtar Demokrat, në Asamblenë në Lisbonë & ushtron këtë detyrë 2014 – 2016, duke u bërë politikani i parë shqiptar që zgjidhet në një pozicion kaq të lartë drejtues në një organizatë ndërkombëtare. Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave. Gerti ishte i martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe ishte babai i Ajrës dhe Reinartit.

Poll

MOS HUMB