Politikë

Dështon sërish mbledhja e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi

Deputetët socialistë nuk i kanë përgjigjur sërish thirrjes së bërë nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi.

k.m.
Dështon sërish mbledhja e Komisionit Hetimor për koncensionet
Albana Vokshi

TIRANË- Dështon sërish mbledhja e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi. Deputetët socialistë nuk i kanë përgjigjur sërish thirrjes së bërë nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi. Në takimin e sotëm, i cili ishte planifikaur për t'u zhvilluar në orën 10:30, pritej që të miratohej plani i hetimit 3 javor, si  edhe kërkesat për informacion ndaj institucioneve. Megjithatë ekspertët e zgjedhur nga Partia Demokratike e dorëzuan planin hetimor, duke kërkuar që të thërrasin në sallë dëshmitarët e parë. Sipas planit (dokumentin e të cilit e keni më poshtë), në Komision do të thirren për të dëshmuar: kryeministri Edi Rama, ish-ministri Ilir Beqja, ministrja Ogerta Manastirliu, ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ish-ministrja e Financave, Anila Denaj dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.

Pas dështimit të mbledhjes, deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryetare e Komisionit Hetimor për dy koncesionet në shëndetësi, Albana Vokshi ka denoncuar se Ilir Beqaj ka marrë një tjetër tender para tre ditësh nëpërmjet kompanisë "INTECH". Pasi hodhi akuza se socialistët po e bllokojnë me qëllim mbledhjen e Komisionit, Vokshi lajmëroi se do t'i dërgojë Lindita Nikollës një letër që të merren masa për mbarëvajtjen e punës, duke paralajmëruar gjithashtu se nëse ndodh sërish do të kërkojnë largimin e anëtarëve socialistë.

“Qëllimi jonë është që ndihmojmë edhe SPAK. GKKO e ka kthyer prapsh dosjen në SPAK për të thënë heto Ilir Beqajn, sepse Beqaj ka rol shumë herë më të madh dhe ka shkaktuar dëm shumë herë më të madh sesa ata që janë në burg. Ndërkohë Ilir Beqaj shëtit nga mëngjesi në darkë në gjithë rrugët e Tiranës dhe vazhdon merr tendera. Para tre ditësh Ilir Beqaj ka marrë tenderin e radhës me INTECH plus, 320 milionë lekë. Jo vetëm, që çohet për shpërdorim detyre. E kanë ngritur komisionin për ta dështuar, për ta bllokuar. Çdo mbledhje bojkotohet nga mazhoranca se s’duan që të zbardhen aferat korruptive kriminale në Shqipëri, check up dhe sterilizimi. 7 deputetët të opozitës me firma kanë thirrur mbledhjen e Komsionit. Prania e deputetëve të mazhorancës sot është e detyrueshme, nuk zgjedhin. Neni 32 pika 2 e detyron. Neni 12 pika 1 thotë mbledhjet thirren dhe vetëdrejtohen nga kryetari. E kam thirrur mbledhjen bazuar në ligj dhe për herë të tretë e kanë dështuar. Me urdhër të Ramës ata po bojkotojnë punimet dhe hetimet parlamentare. Kanë shkelur rregulloren, Kushtetutën. U bëj thirrje që të mos ndjekin porosinë e Ramës që nuk do hetim parlamentar. Për shkak se janë refuzuar që të marrin pjesë, janë dërguar mbi 40 kërkesa për të mos bllokuar punën. Gazment Bardhi do i dërgojë një letër Kryetares së Kuvendit për të marrë masa, në mënyrë që mund të bëjmë hetimin parlamentar dhe do të vërë në dijeni të gjitha ambasadat dhe komunitetin ndërkombëtar për këto parregullsi.

Ne kemi dëshmuar edhe njëherë mungesën e vullnetit dhe dëshirën e mazhorancës që të ketë mbarëvajtje të punës së komisionit dhe ata e bojkotuan për të tretën herë radhazi edhe pse njoftimet janë bërë në bazë të ligjit për komisionet hetimore. Është e qëllimshme, ashtu siç refuzuan dy vitet e fundit qëllimisht për të drejtat kushtetuese të opozitës, po vijojnë të refuzojnë të drejtat kushtetuese të opozitës në parlament dhe në komisione. Ata e kanë ngritur komisionin hetimor për ta dështuar dhe bllokuar. Këto mbledhje po bojkotohen pasi nuk duan të zbardhen të vërtetat e koncesioneve në shëndetësi. Ne e kemi thirrur mbledhjen bazuar në ligj dhe rregulloren edhe sepse prania është e detyrueshme sipas nenit 9 pika 7 ku nëse për më shumë se tre herë radhazi mungojnë deputetët, atëherë ndaj tyre merret masë dhe zëvendësohen. Kjo është hera e tretë që nuk vijnë deputetët e PS dhe ata do të duhet të zëvendësohen, ata nuk duhet që të ndjekin urdhrat e Ramës që nuk do hetim parlamentar që të mos shkojnë pas porosive të Plarent Ndrecës, sepse ai është në konflikt të hapur interesi pasi ka qenë avokat ndaj disa personave që janë nën hetim nga SPAK për këtë skandal,”- tha Vokshi.

Kjo është hera e tretë që mbledhja e Komisionit dështon, por deri më tani nuk ka asnjë sqarim nga palët. 

Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB