
ITALI- Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Gjerapetritis dhe homologu shqiptar Igli Hasani do të takohen të hënën e ardhshme në Romë. Ditën e hënë (5 shkurt) do të mblidhet në Romë grupi i Miqve të Ballkanit perëndimor.
Mësohet se ky takim rajonal është organizuar nga ministria e jashtme italiane. Gjatë takimit pritet të ketë edhe një dialog mes Ministrit të Jashtëm grek dhe atij shqiptar.
Palët do të tentojnë të rinisin një fazë të re dialogu mes dy vendeve mbas ftohjes së marrëdhënieve për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit.
Kujtojmë se Greqia vendosi që të ‘ndëshkojë’ Shqipërinë, për shkak të çështjes Beleri, duke bllokuar paktin e mbrojtjes mes Tiranës dhe BE-së. Athina dha dritën jeshile për shumë çështje për Maqedoninë e Veriut, por jo për Shqipërinë, që e konsideron një shtet, ku zbatimi i ligjit është ende problematik. Greqia kundërshtoi në lidhje me Shqipërinë, duke këmbëngulur se Tirana, duke qenë se dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të punojë në përputhje me ligjet evropiane, që përfshin respektimin e shtetit ligjor si element bazë.
/ZËRI