
TIRANË- Presidenti i Francës, Emanuel Macron do të vijojë ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, ku pritet të takohet kokë më kokë me homologun e tij shqiptar, Bajram Begaj.
Macron mbërriti një ditë më parë në Tiranë, ku u prit fillimisht nga kryeministri Edi Rama.
Ndalesa e parë e Presidentit të Francës Macron ishte në Pallatin e Brigadave, ku në një ceremoni të posaçme, i dorëzoi shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
Më poshtë, gjeni axhendën e takimit të Presidentit Macron me presidentin Begaj:
8:25 -Mbërritja e Presidentit të Republikës Franceze në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës franceze do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
-Interpretohet himni kombëtar francez;
-Interpretohet himni kombëtar shqiptar;
-Kryhet kalimi para truprojës së nderit;
-Dy krerët e shteteve prezantojnë ekipet e tyre respektive.
Presidenti i Republikës së Francës ftohet të nënshkruajë në librin e të ftuarve.
Në hollin ”Nënë Tereza” do të bëhet fotoja zyrtare.
08:35 – 09:05 – Takim kokë më kokë mes dy presidentëve.
Presidenti i Francës, Emanuel Macron ndodhet në Tiranë në kuadër të një vizite bilaterale, e para që një president i Francës bën në Shqipëri. Pas pritjes që do të bëhet në Presidencë, Macron do të takohet dhe me kryeministrin Edi Rama. Presidenti francez nuk mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, për shkak të disa ndryshimeve në axhendë që u kushtëzuan nga një sulm terrorist që ndodhi pak ditë më parë në Francë./Zëri.ai