Politikë

PD kërkon mbledhjen urgjente të Kuvendit: Llogari për dhunën ndaj studentëve dhe...dorëheqjen e Ramës

Përmes një kërkese zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, PD kërkon thirrjen e një seance plenare gjatë ditës së sotme ose të mërkurën. 

zh.ll
PD kërkon mbledhjen urgjente të Kuvendit: Llogari për dhunën
selia blu-partia demokratike

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon mbledhje urgjente të Kuvendit. Përmes një kërkese zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, PD kërkon thirrjen e një seance plenare gjatë ditës së sotme ose të mërkurën. 

Demkratët kërkojnë një seancë të posaçme, me fokus diskutimin e protestës së studentëve dhe kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjithashtu, një nga pikat për të cilët kërkojnë të diskutojnë, janë aktet e dhunës së Policisë së Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe të rinjve. 

Në kërkesë, opozita shpreh gjithashtu shqetësimin për anulimin e seancës plenare të parashikuar, pa njoftim paraprak dhe pa një shpjegim të arsyetuar.

Njoftim i plotë:

Prej tetë ditësh, studentët dhe të rinjtë shqiptarë vijojnë protestën e tyre kundër arrogancës, keqqeverisjes, korrupsionit qeveritar dhe braktisjes nga ana e Qeverisë, duke artikuluar si kërkesë të vetme largimin e Kryeministrit Edi Rama.

Gjatë këtyre ditëve të protestës, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kemi konstatuar akte të rënda dhune ndaj studentëve dhe të rinjve. Këto akte, të cilat dëshmojnë një përdorim shqetësues dhe të papranueshëm të forcës nga Policia e Shtetit, nuk kanë kursyer as të miturit, gratë dhe vajzat. Si pasojë, janë raportuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në kokë, lëndime të tjera trupore, si dhe dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i plumbave të gomës dhe i lëndëve kimike.

Përballë kësaj situate të paprecedentë, është veçanërisht shqetësues që Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm nuk ka ndërmarrë hapa për të kërkuar llogaridhënie institucionale lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, sipas konstatimeve të bëra gjatë protestave, nuk mbanin mjete identifikimi, por ka anuluar edhe seancën plenare të parashikuar, pa njoftim paraprak dhe pa dhënë një shpjegim të arsyetuar për këtë vendim.

Në këto kushte, duke vlerësuar seriozitetin e situatës dhe nevojën për ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe institucionale të Kuvendit, në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e një seance plenare brenda ditës së sotme ose, në alternativë, ditën e mërkurë, me rend dite të kufizuar në pikën e mëposhtme:

– “Diskutimi mbi protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e Kryeministrit Edi Rama, si dhe aktet e dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe të rinjve”.

Vlerësojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin institucional të garantojë transparencën, llogaridhënien dhe shqyrtimin parlamentar të kësaj situate, duke bërë të mundur diskutimin e saj në një seancë plenare dhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit të konstatuar.

Duke ju kërkuar të merrni masat e nevojshme për shqyrtimin e kësaj kërkese me urgjencë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, presim marrjen e masave për thirrjen e seancës plenare të kërkuar.

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB