
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pak minuta më parë në lidhje me votimin e Asamblesë Parlamentare që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se ky është një hap historik për Kosvësn. Ndër të tjera Kreu i Qeverisë shkruan se tashmë, në Komitetin e Ministrave, të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur, vulosjen e këtij anëtarësimi.
Edi Rama: Një hap historik sapo u hodh në asamblenë parlamentare të këshillit të europës për pranimin e Kosovës si anëtar i komunitetit të shteteve të KiE. Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës. Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur: vulosjen e këtij anëtarësimi pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Forca Kosovë.
Pas votimit të Asamblesë Parlamentare çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës./ZËRI