Politikë

Emërimi i Spiropalit dhe ministrave të rinj/ Begaj mban 'peng dekretet', shtyhet për nesër seanca e jashtëzakonshme në Kuvend

Të tre ministrat e rinj, deri tani mbanin poste drejtuesish në institucionet që janë në varësi të ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjitikës, që drejtohet nga Belinda Balluku

E.K
Emërimi i Spiropalit dhe ministrave të rinj/ Begaj mban 'peng
Ndryshimet ne qeveri

TIRANË- Edhe pse Kuvendi mbylli sesionin parlamentar zyrtarisht ditën e premte, deputetët do të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme ditën e nesërme, ku do të miratohen ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Seanca e jashtëzakonshme parlamentare që pritej të zhvillohej sot në orën 18:00,  ku do të votohej kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe do të kalonin dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ministrat e rinj të qeverisë Rama, është shtyrë për ditën e nesërme.

Deputetët e PS janë njoftuar në mbledhjen e grupit se seanca do të shtyhet për nesër për shkak se Presidenti ende nuk i ka dekretuar ndryshimet në qeveri.

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje ndryshime të rëndësishme në qeveri, por edhe në grupin parlamentar dhe në krye të Kuvendit. Ai dorëzoi ndryshimet personalisht pasditen e djeshme në presidencë, ku edhe pse një ditë pushimi, u prit në takim nga Bajram Begaj. Për të miratuar ndryshimet në qeveri do të duhen 71 vota që socialistët i kanë, dhe më pas ministrat e rinj do të marrin detyrën.

Më konkretisht në Kongresin e PS-së, Rama propozoi emërimin e Elisa Spiropalit për të zëvendësuar Lindita Nikollën në postin e kryetares së Kuvendit, pasi kjo e fundit dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.

Ndërkohë, Rama ka larguar edhe Ermonela Felajn nga posti i nënkryetares së Kuvendit, dhe në vend të saj ka emëruar Bledar Çuçin, i cili mbante postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së. Në vend të Çuçit, në postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së ka emëruar Niko Peleshin, duke e larguar nga posti i Ministrit të Mbrojtjes.

Gjithashtu, një ndryshim surprizë në qeveri ishte dhe ai i Taulant Ballës. Ky i fundit është larguar nga posti i Ministrit të Brendshëm pas rreth një viti, duke e emëruar në postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në vend të Elisa Spiropalit. Rama ka larguar edhe Ervin Meten nga posti i ministrit të Financave, duke emëruar në vend të tij Petrit Malajn. Ndërkohë, Ervin Hoxha është emëruar ministër i Brendshëm, ndërsa Pirro Vengu është emëruar ministër i Mbrojtjes.

Të tre ministrat e rinj, deri tani mbanin poste drejtuesish në institucionet që janë në varësi të ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjitikës, që drejtohet nga Belinda Balluku. Ervin Hoxha mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Petrit Malaj mbante postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Pirro Vëngu mbante postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit.

Ndërkohë, nuk dihet nëse do të marr pjesë opozita në seancën e sotme në Kuvend, teksa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka njoftuar kolegët e tij, teksa thotë se Begaj i ka bërë dekretimet me urgjencë.

“Kolegë, Presidenti si roje e godinës së Presidencës ka bërë dekretimin e ministrave të rinj me urgjencë dhe pa asnjë verifikim. Administrata e Kuvendit më njofton që sot në orën 18:00 do të ketë seancë të jashtëzakonshme parlamentare për emërimet në qeveri. Njoftimi zyrtar do ju përcillet edhe me email”, shprehet kreu i deputetëve demokratë.

Seanca në Kuvend pritet që të paraprihet nga një mbledhje e grupit parlamentar të socialistëve, ku do të prezantohet edhe drejtuesi i ri, Niko Peleshi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB