TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar sot një kërkesë në Kuvendin e Shqipërisë për zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin Edi Rama në lidhje me takimin e dyshuar në Aruba.
Kreu i këtij grupi, Gazment Bardhi është shprehur në rrjetet sociale se interpelanca ka të bëjë me ndikimin e krimit të organizuar në ekonominë shqiptare dhe fuqizimin e tij përmes lejeve, licencave dhe fondeve publike. Ai thekson se tashmë është koha që Kryeministri të japë llogari përpara Kuvendit për lidhjet e qeverisë me eksponentë të botës së krimit, përfshirë edhe takimin e dokumentuar nga Antimafia italiane në ishullin Aruba, në janar të vitit 2019.
"Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin Edi Rama lidhur me ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe fuqizimin e tij përmes lejeve, licencave apo fondeve publike, që shërbejnë si mekanizëm për pastrimin e parave të pista. Kryeministri Edi Rama duhet të japë sqarime Kuvendit lidhur me çështjet më poshtë: · A ka dijeni Kryeministri Edi Rama për takimin e dokumentuar nga Antimafia Italiane të zhvilluar në periudhën 24–31 Janar 2019, në ishullin Aruba, në Karaibe, zyrtarisht territor i Mbretërisë së Hollandës? ·Kush janë eksponentët e lartë të Qeverisë shqiptare, që kanë marrë pjesë në atë takim dhe a është informuar Kryeministri Edi Rama prej tyre apo shërbimeve të sigurisë kombëtare mbi përmbajtjen e takimit? ·A ka përfituar shtetasi Artur Shehu, apo persona të lidhur me të, leje ndërtimi; licenca; punë publike; marrëveshje koncesioni apo partneriteti publik-privat; prokurime publike apo fonde publike, nga Qeveria Shqiptare apo institucionet nën varësinë e ekzekutivit? ·A është takuar ndonjeherë Kryeministri Edi Rama me shtetasin Artur Shtetit, apo ka zhvilluar ndonjëherë takime qeveritare apo elektorale në pronat e paluajtshme në pronësi të këtij shtetasi, që rezulton të jetë një person i skeduar nga disa agjenci ligjzbatuese si drejtues i një organizate ndërkombëtare kriminale të trafikut të drogës? · Cfarë masash ka marrë Kryeministri, si drejtues i Këshillit të Ministrave, për të parandaluar që krimi i organizuar të ketë ndikim të ndjeshëm në ekonominë shqiptare, apo të mos dëmtojë konkurencën e lirë në treg, sic citon edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit? Mbetet të shihet të enjten nëse Edi Rama do të respektojë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve legjitime. A do marrrë ai guximintë vijë në Kuvend dhe të pranojë fuqizimin e një personi të shpallur si kreu i një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës?”-, shkruan Bardhi.
Akuzat vijnë pasi gazetari investigativ italian Nello Trocchia publikoi librin e tij “Të Pathyeshmit”, ku në fokus janë grupet kriminale të Tiranës. Ai flet për një takim misterioz në ishullin Aruba të Karaibeve, mes biznesmenëve, narkotrafikantëve dhe përfaqësuesve të qeverisë së Edi Ramës.
Në një intervistë pak muaj më parë për “Syri TV”, Trocchia deklaroi se për këtë takim ekzistojnë edhe biseda të përgjuara, ku, sipas tij, përmenden njerëz të nivelit të lartë të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë Kryeministri./ZËRI