
TIRANË- Këtë të martë Gjykata e Apelit riktheu sërish në duart e Sali Berishës logon dhe vulën e Partisë Demokratike. Një betejë më shumë se 2-vjeçare mes dy grupeve, nga njëra Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesin, në anën tjetër Sali Berisha me deputetët e tij. Ishte fakt që Berisha kishte kontrollin e shumicës së deputetëve dhe mbështetjen e shumicës së demokratëve, por ligjërisht, Sali Berisha nuk njihej si kryetar i Partisë Demokratike, pasi një proces gjyqësor maratonë për 30 muaj, i la demokratët pa identitet dhe kryetar “de facto”, pavarësisht se Basha kishte vulën dhe logon e partisë.
Përçarja në Partinë Demokratike, erdhi pas shpalljes ‘’non grata’’ të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas, përjashtimi nga grupi parlamentar i PD-së me firmë të Lulzim Bashës, atëherë në krah të Bashës ishin rreshtuar dhe shumica e deputetëve, që sot janë në krah të Berishës, të cilin më parë e njohën si kryetar të PD-së dhe pse pa vulë. Rrugëtimi ligjor i Partisë Demokratike nëpër dyert e gjykatave fillon pas Kuvendit Kombëtar të thërritur nga Sali Berisha.
Më 11 dhjetor 2021, Sali Berisha thërret Kuvendin Kombëtar, si përgjigje ndaj përjashtimit që Lulzim Basha i bëri në shtator të atij viti. Sali Berisha mblodhi delegatët e partisë në stadiumin “Air Albania”, ku ‘’zhveshi’’ Lulzim Bashën nga të gjitha detyrat në Partinë Demokratike, shkarkoi nënkryetarët, Sekretarin e Përgjithshëm, si dhe i ngriu kompetencat organeve drejtuese të partisë. Po ashtu Kuvendi Kombëtar i Sali Berishës, shpalli të pavlefshme Kryesinë e PD. Sali Berisha krijoi Komisionin e Rithemelimit, strukturë, e cila do të drejtonte partinë deri në zgjedhjet e reja për kryetar, ku Berisha e kishte të sigurt, karrigen e kryetarit.
Shtatë ditë pasi Sali Berisha mblodhi demokratët në stadiumin “Air Albania”, Lulzim Basha thërret një tjetër Kuvend Kombëtar më 18 dhjetor për të shfuqizuar vendimet e marra në Kuvendin ‘De juro”, të Berishës dhe e përjashtoi përfundimisht nga Partia Demokratike dhe sanksionoi në statut se nuk mund të jetë as anëtar partie një person që është i shpallur “non grata” nga aleati strategjik i Shqipërisë, SHBA-ja. Por sipas Berishës, asnjë vendim i marrë në Kuvendin e Bashës nuk kishte vlerë pasi ai tashmë ishte shkarkuar nga delegatët e Kuvendit të 11 dhejtorit.
Por ndërkohë që pritej që e drejta për karrigen e kreut të PD të përfundonte në gjykatë, 8 janari 2022, do të shënonte një pikë të fortë kthese në rrjedhën e demokratëve. Një përplasje e fortë mes tyre u regjistrua në selinë e PD-së. Mbështetësit e Sali Berishës, të prirë nga ai vetë tentuan të marrin me forcë selinë e PD, kjo e fundit e blinduar deri në detaje nga Basha dhe deputetët që e mbështesnin asokohe, por Berisha pavarësisht se shembi blindin, për çudi nuk hyri në seli. Por incidenti mbeti si një njollë e zezë në rrugën e PD-së.
Rikthehemi tek beteja ligjore. Më 25 mars 2022, Sali Berisha dhe Komisoni i Rithemelimit, iu drejtuan Gjykatës së Shkallës së Parë për të regjistruar ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit. “Fati” i këtyre ndryshimeve ishte në dorën e gjyqtarit Agron Zhukri. Ky i fundit tashmë jashtë sistemit gjyqësor si i shkarkuar nga Vetting-u. Kjo kërkesë e Rithemelimit, u pranua nga Zhukri. Pas këtij hapi, Enkelejd Alibeaj, si kryetar i komanduar në krye të PD-së pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, pasi humbi zgjedhjet e 6 marsit, ankimoi vendimin e Zhukrit dhe vula e demokratëve përfundoi në dyert e Gjykatës së Apelit.
Më 3 mars 2023, Apeli vendosi kthimin e çështjes në Shkallën e Parë. Vendim që Gjykata e Lartë e rrëzoi. Kjo e fundit i kërkoi Apelit të shqyrtonte çështjen me themel dhe të jepte vendim të formës së prerë. Pas këtij vendimi, Apeli mori sërish në dorë “fatin” e vulës së PD.
Por dhe ky vendim ashtu siç pritej do ketë kundërshtitë e veta. Ndërkohë që në Partinë Demokratike, Sali Berisha shpalli fitoren, në anën tjetër Lulzim Basha, me sa duket nuk do të dorëzohet. Kështu këtë të martë ai ka thërritur mbledhjen e organeve drejtuese, të cilat pas këtij vendimi janë të pavlefshme, për të lajmëruar hapin e radhës.
Rrugëtimi ligjor i Partisë Demokratike në dyert e gjykatave ka kaluar në disa hapa të rëndësishme. Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, mungesa e vulës e detyroi Sali Berishën të futej në zgjedhje me logon e partisë së aleatit të vjetër, Ilir Meta. Ndërkohë që dhe në zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha nuk u fut dot në zgjedhje me logon e miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe as nuk mund të kishte emrin në fletën e votimit si kryetar partie, pavarësisht se tashmë ishte shpërngulur në selinë blu.
Beteja për vulën e PD, është një odise e gjatë përballjeje ligjore dhe politike. Tashmë festa është në kampin e Sali Berishës, ndërkohë nuk dihet ende se si do të luajë në këtë “tango” të re Lulzim Basha dhe si do të jetë fati dhe zgjedhja e deputetëve që e mbështesin. Mbetet për tu pare, por ndërkohë zgjedhjet parlamentare janë afër…/ZËRI