
TIRANË- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri i cili ndodhet pas hekurave, do të lërë qelinë ditën e sotme, për vetëm gjashtë orë. Arsyeja nuk do të jetë festimi i ndërrimit të viteve, por humbja e gjyshes së tij. Pasi është vënë në dijeni për lajmin e hidhur, Beleri ka aplikuar për leje, që i është aprovuar.
Beleri është shoqëruar nga punonjës policie, nga fillimi i ceremonisë mortore, deri në fund të saj. Më pas, nën masa të rrepta sigurie, do të kthehet sërish në qeli. ZËRI ka sjellë dhe pamje nga momenti kur Beleri mbërrin në vendin ku dhe po zhvillohet ceremonia mortore. Ai do të lejohet të zbresë nga mjeti i Policisë së Shtetit vetëm në momentin që do të bëhet varrimi.
E ndjera quhej Kolopi Beleri dhe ndërroi jetë në moshën 98-vjeçare.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës.